Aleanca me aktivitet simbolik para Kuvendit: “Deputetët e VV-së janë të bllokuar nga grushti i hekurt”

Aleanca ka zhvilluar sot një aktivitet simbolik para hyrjes së Kuvendit të Kosovës. Gjatë këtij aktiviteti, janë vendosur fotografi të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, shoqëruar me mesazhet “Lutemi për lirinë e tyre” dhe “FREE”.

Poshtë fotografive gjendej edhe mbishkrimi “Kurti – Dejona”, me të cilin Aleanca synonte të përcillte një mesazh politik kundrejt drejtimit dhe funksionimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në kuadër të këtij aktiviteti foli edhe Burim Ramadani, zyrtar i Aleancës, i cili theksoi se qëllimi është të ngrihet vetëdija publike për atë që ai e cilëson si ndikim të një “regjimi partiak” në institucionet shtetërore.

“Qëllimi është ta ngrisim vetëdijesimin se kemi një aktivitet, një regjim në parti dhe një regjim në shtet. A keni dëgjuar ndonjë deputet të VV-së që flet mendimin e tyre? Përgjigjja është jo, sepse VV-ja udhëhiqet me grusht të hekurt dhe është jodemokratike. Dhe i njëjti model po mundohet të vendoset edhe në institucionet dhe shtetin e Kosovës,” deklaroi Ramadani.

Ai theksoi se deputetët e VV-së janë “të bllokuar” brenda këtij “grushti të hekurt” dhe se ata mund të shprehin vetëm atë që u shkruhet nga partia mëmë. Ramadani pretendoi gjithashtu se disa deputetë të VV-së, sipas tij, kanë shprehur pakënaqësi lidhur me këtë situatë, por nuk kanë lirinë të flasin publikisht për qëndrimet e tyre.

“Jo rrallë dhe në adresa të caktuara, deputetët e VV-së kanë filluar të ankohen për bllokimin dhe grushtin e hekurt. Nuk pajtohen me atë, por nuk e kanë lirinë që të shprehen dhe të flasin për mendimet personale lidhur me situatën dhe bllokimin e shtetit,” shtoi ai.

Në fund, Ramadani përfundoi duke theksuar se çdo deputet duhet të ketë mundësinë të shprehë lirshëm mendimin e tij, pasi, sipas tij, “një regjim partiak po synon të kthehet në regjim shtetëror.”