**Tragjedia në Rahovec: Humb jetën 16-vjeçari, kryetari Latifi thekson ëndrrat e ndërprera të viktimës**
Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë në Rahovec, ku një i mitur 16-vjeçar ka humbur jetën pasi është plagosur me armë zjarri. Viktima është identifikuar si Blenis Burim Gashi, nga fshati Fortesë i Rahovecit. Rrethanat e plota të ngjarjes fatale janë ende nën hetim.
Lidhur me këtë rast të rëndë, ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Përmes një postimi në platformën “Facebook”, kryetari ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për humbjen e të riut. Latifi theksoi se Blenisi sapo kishte nisur studimet në shkollën e mesme të mjekësisë dhe kishte plane e ëndrra të mëdha për të ardhmen, të cilat fatkeqësisht mbetën të pa realizuara.
Në postimin e tij, Latifi shkruan:
“Nuk ka vdekje të lehtë, mirëpo vdekja e të riut 16-vjeçar, Blenis Burim Gashi nga Fortesa, e bën dhimbjen edhe më të rëndë dhe të papërballueshme. Blenisi sapo kishte nisur shkollën e mesme të mjekësisë, me ëndrra dhe plane të mëdha për të ardhmen, por, fatkeqësisht, nuk arriti t’i realizonte. Një jetë e re, e ndërprerë shumë herët…”
Kryetari e mbylli mesazhin e tij me ngushëllime për familjen dhe të afërmit e viktimës:
“Ngushëlloj përzemërsisht familjen Gashi, të afërmit, shokët dhe të gjithë ata që e njohën Blenisin! Blenisi, pushoftë në paqe!”
Burimi: Indeksonline
