Para pak ditësh, gjatë shortit të Ligës së Kampionëve në Monaco, drejtuesit kryesorë të UEFA-s ishin të fokusuar te ajo që po ndodh brenda FIFA-s, organizatës që nën presidentin Aleksander Čeferin është shndërruar në armikun e ri të deklaruar, shkruan “Diario AS”.

Vitet e konfliktit të hapur me Real Madridin dhe Superligën tashmë janë pas tyre.

Pa dyshim, ato ishin kohë të vështira. Afrimi i dy palëve dhe përmirësimi i marrëdhënieve me klubin më të madh në botë ndihmuan në shërimin e asaj plage sezonin e kaluar, por gjithashtu kanë krijuar një realitet të ri.

Real Madridi është mbreti i padiskutueshëm i kompeticionit të UEFA-s që ka më shumë rëndësi, Ligës së Kampionëve, e cila nis këtë javë me shumë bujë.

Fakti që organi drejtues ishte në konflikt me klubin që e ka fituar këtë turne më shumë se çdo klub tjetër nuk kishte shumë kuptim.

Pavarësisht rritjes së fuqive të reja financiare si Manchester City dhe PSG, të dyja kampione gjatë pesë viteve të fundit, si dhe ringritjes së klubeve historike si Arsenali, Barcelona dhe Bayern Munichu, Madridi i shton më shumë prestigj fazës së ligës me 36 skuadra se çdo klub tjetër.

Madje, as fuqia e jashtëzakonshme financiare e Premierligës, së bashku me burimet e PSG-së, nuk e kanë penguar Madridin që të hyjë në këtë edicion të garës me skuadrën më të vlefshme.

Skuadra e Real Madridit vlerësohet në 1.69 miliardë dollarë, përpara Manchester Cityt me 1.66 miliardë dollarë dhe PSG-së me 1.58 miliardë dollarë, që plotësojnë tri vendet e para.

Katër klube të tjera kanë një vlerë prej më shumë se 1 miliard dollarësh: Arsenali (1.54 miliardë dollarë), Barcelona (1.46 miliardë dollarë), Bayern Munichu (1.21 miliardë dollarë) dhe Liverpooli (1.19 miliardë dollarë).

As në aspektin institucional, e as në fushën e lojës, askush nuk ka arritur ta zbehë fuqinë e Real Madridit.

Pikërisht për këtë arsye, për UEFA-n ka më shumë kuptim të ketë marrëdhënie të mira me Madridin sesa të vazhdojë të jetë në konflikt me klubin.

Mendoni se çfarë mund të nënkuptojë kjo në të ardhmen. UEFA mund ta përdorë “Bernabéun” për të organizuar finale evropiane, nëse krijohet mundësia, ndërsa njëkohësisht të jetë e gatshme të dëgjojë dhe të marrë në konsideratë planet e Madridit për shfrytëzimin e konceptit të Superligës, përfshirë edhe krijimin e mundshëm të një platforme për transmetimin e ndeshjeve.

Në terminologjinë e Superligës, kjo njihej si “Unify”.

Është më mirë të jesh partner i Real Madridit sesa armik i tij.

Njerëzit në Nyon e dinë shumë mirë këtë. Ndryshimi i marrëdhënieve mes dy palëve është dëshmi se ekuilibri i fuqisë ka ndryshuar./GazetaExpress/