**Jep dorëheqjen drejtori i Burgut të Shutkës**

Boban Utkovski, drejtori i Burgut “Shkup” në Shutkë, ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i tij. Dokumenti për dorëheqjen i është dorëzuar tashmë Qeverisë, ndërsa si motiv për këtë vendim janë përmendur arsye personale.

Ky informacion është konfirmuar edhe nga Qeveria, e cila theksoi se dorëheqja e Utkovskit do të shqyrtohet nga ministrat në njërën nga seancat e ardhshme.

Nga Qeveria u njoftua se: “Drejtori i Institucionit Ndëshkues-Përmirësues, Burgu ‘Shkup’ në Shutkë, Boban Utkovski, ka paraqitur dorëheqje në Qeveri, e cila do të shqyrtohet në njërën nga seancat e ardhshme. Në dorëheqje është theksuar se arsyeja e saj janë shkaqe personale.”

Deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar se kush do ta zëvendësojë atë. Qeveria bëri me dije se publiku do të informohet në kohën e duhur, sapo të merret një vendim për emërimin e drejtuesit të ri të burgut në Shutkë.