**Arrestohen në Morinë dy kosovarë, të dënuar me nga 15 vite burg në Gjermani**
Morinë, Kukës – Dy të rinj nga Kosova, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania, janë arrestuar nga Policia Kufitare Shqiptare në Morinë. Të dy ishin dënuar me nga 15 vite burg për vepra të rënda penale të kryera në territorin gjerman.
Sipas njoftimit të Policisë, bëhet fjalë për shtetasit me inicialet M. (22 vjeç) dhe F. B. (24 vjeç), të dy banues në Vushtrri. Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani.
Dënimi me burgim prej 15 vitesh për secilin u vendos nga Gjykata e Erfurtit në Gjermani, pas shpalljes fajtorë për veprat penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Dëmtim prone”, të parashikuara nga Kodi Penal Gjerman.
Arrestimi i tyre erdhi si rezultat i kontrolleve intensive të Policisë Kufitare Morinë, në kuadër të operacionit “Wanted”, që synon kapjen e personave në kërkim dhe parandalimin e paligjshmërive.
Aktualisht, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden të Gjermanisë, po vijon procedurat për finalizimin e ekstradimit të dy shtetasve kosovarë drejt Gjermanisë, ku do të vuajnë dënimin e tyre.
