Studentët dhe pedagogët bashkojnë forcat në protestë kombëtare këtë të shtunë

**Tiranë** – Studentët do të vazhdojnë protestën e tyre edhe këtë fundjavë, duke u mbledhur këtë të shtunë në orën 12:00 para Ministrisë së Arsimit. Ata do të mbështeten nga pedagogë, të cilët prej ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor.

Pedagogët i janë bashkuar kërkesave të studentëve, mes të cilave spikat ajo për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Paralelisht me këtë, Partia Demokratike ka thirrur gjithashtu një protestë kombëtare për të shtunën. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ftoi të premten anëtarët, simpatizantët e partisë dhe qytetarët nga i gjithë vendi t’i bashkohen demonstratës, e cila nis po ashtu në orën 12:00, në mbështetje të kërkesave studentore.

Berisha vlerësoi lart qëndresën e studentëve dhe të rinjve, të cilët prej ditësh protestojnë në rrugët e kryeqytetit, duke e cilësuar lëvizjen e tyre si dëshmi të guximit dhe ndërgjegjes qytetare.

Studentët kanë njoftuar se në orën 14:00 do të zhvendosen para Kryeministrisë për të vazhduar protestën. Mbetet e paqartë sa do të zgjasë ky mobilizim dhe nëse do të ketë përplasje me forcat e policisë. Në protestat e mëparshme janë shënuar incidente dhe konfrontime mes protestuesve dhe rendit.