**Zbardhen Prapaskenat: Si e Drejtoi Donald Trump SHBA-në drejt Pragut të Luftës me Iranin**

Një raport i “The New York Times” zbulon prapaskenat e vendimmarrjes së ish-Presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i hapur rrugë një sulmi të përbashkët me Izraelin ndaj Iranit. Dokumentet tregojnë se si Trump mori këtë vendim me pasoja të mëdha globale, duke përballur instinktet e tij me kundërshtimet e zëvendëspresidentit dhe vlerësimet pesimiste të shërbimeve inteligjente amerikane.

Ky vendim u nxit nga një prezantim kyç i Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në shkurt, i cili shkaktoi një seri diskutimesh të tensionuara brenda Shtëpisë së Bardhë. Më 11 shkurt, Netanyahu, i cili prej muajsh kishte ushtruar presion për një ofensivë të madhe ndaj Iranit, mbërriti fshehurazi në Shtëpinë e Bardhë. Pas një takimi fillestar me zyrtarë amerikanë dhe izraelitë, ai zbriti në “Situation Room” për një prezantim tepër sekret mbi Iranin për Trump dhe ekipin e tij, një hapësirë e përdorur rrallë për takime të tilla me udhëheqës të huaj.

Në “Situation Room”, Trump dhe Netanyahu u ulën përballë ekraneve të mëdha, ku u shfaq David Barnea, drejtori i Mossad-it, së bashku me zyrtarë ushtarakë izraelitë. Në takim morën pjesë figura kyçe si Marco Rubio, Pete Hegseth, Dan Caine dhe John Ratcliffe. Zëvendëspresidenti JD Vance mungonte, pasi ndodhej në Azerbajxhan.

Prezantimi njëorësh i Netanyahut synonte të bindte SHBA-në për një operacion të përbashkët që do t’i jepte fund Republikës Islamike, duke sugjeruar se Irani ishte gati për ndryshim regjimi. Ai përfshiu një video me figura të mundshme që mund të merrnin drejtimin e vendit pas rrëzimit të regjimit, si Reza Pahlavi. Plani izraelit parashikonte shkatërrimin e programit balistik iranian brenda javësh, dobësimin e regjimit për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit dhe një reagim minimal ndaj interesave amerikane, duke nxitur gjithashtu protesta të brendshme. Trump reagoi pozitivisht, duke i thënë Netanyahut: “Mua më duket mirë”, gjë që u interpretua si një sinjal i fortë për miratimin e operacionit.

Megjithatë, një ditë më vonë, shërbimet inteligjente amerikane paraqitën një vlerësim shumë më pesimist. Në një tjetër mbledhje në “Situation Room”, John Ratcliffe e cilësoi skenarin e ndryshimit të regjimit si “farsë”, ndërsa Rubio e quajti “budallallëk”. Analiza amerikane i konsideronte realistë vetëm dy nga katër objektivat e planit izraelit: eliminimin e liderit suprem Ali Khamenei dhe dobësimin ushtarak të Iranit, duke hedhur poshtë idenë e një kryengritjeje popullore apo ndryshimit të regjimi. Trump mbeti i palëkundur, duke u fokusuar te objektivat ushtarake dhe duke e lënë ndryshimin e regjimit si “problemin e tyre”. Gjenerali Dan Caine paralajmëroi për rreziqe si mungesa e armëve, vështirësia në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit dhe pasoja të paparashikueshme, megjithëse pa kundërshtuar drejtpërdrejt presidentin.

Brenda kabinetit, qëndrimet ishin të ndara: Hegseth mbështeste fort luftën, Rubio ishte i pavendosur, ndërsa Vance ishte kundërshtari më i ashpër. Vance argumentoi se një luftë do të ishte “shpërqendrim i madh” dhe “jashtëzakonisht e kushtueshme”, duke paralajmëruar për kaos rajonal, reagime të paparashikueshme nga Irani dhe bllokim të Ngushticës së Hormuzit, me pasojë krizë globale energjetike. Megjithatë, askush nuk e sfidoi drejtpërdrejt vendimin e presidentit.

Në fund të shkurtit, një informacion i ri inteligjence i dha një kthesë situatës: udhëheqësit iranianë do të mblidheshin në një objektiv të vetëm, ideal për një sulm ajror. Paralelisht, diplomacia me Iranin dështoi, pasi Teherani refuzoi ofertat kompromisi, duke i cilësuar ato si poshtëruese.

Më 26 shkurt, në mbledhjen përfundimtare, Trump kërkoi mendimin e secilit. Vance riafirmoi se ishte “një ide e keqe”, por premtoi mbështetje. Rubio saktësoi se ndryshimi i regjimit ishte i parealizueshëm, por shkatërrimi i kapaciteteve ushtarake ishte i mundur. Në fund, Trump mori vendimin: “Mendoj se duhet ta bëjmë”, tha ai. Një ditë më pas, nga Air Force One, vetëm 22 minuta para afatit, Presidenti lëshoi urdhrin përfundimtar: “Operacioni Epic Fury është miratuar. Nuk ka anulim. Suksese.”