Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë sot një deklaratë të fortë lidhur me Gjykatën Speciale dhe zhvillimet në Hagë, pikërisht në ditën kur në Prishtinë pritet të mbahet “Marshi i Lirisë” në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

Rama u shpreh se ajo që ai e cilëson si “farsë” e gjykimit në Hagë, po i vjen fundi dhe se “gjithçka pret njeriu nga autorët e saj”.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi besimin e tij në triumfin e Thaçit, duke cituar vetë ish-presidentin e Kosovës.

“Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund, e ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e të vërtetës së tij, të cilën vitet e burgut veç e kanë bërë më të madhe bashkë me mbështetjen e krejt shqiptarisë,” ka shkruar Rama në postimin e tij.