Tragjedi në Gjermani: Babë e bijë ndërrojnë jetë në aksident
**Emmerich, Gjermani** – Një aksident i rëndë trafiku në autostradën A3, pranë qytetit të Emmerichut në Gjermani, u ka marrë jetën një 36-vjeçari dhe vajzës së tij trevjeçare.
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në mbrëmje, në drejtim të Këlnit. Sipas raportimeve të policisë, dyshohet se një kamion, teksa po kalonte nga korsia e djathtë në të majtën, nuk vuri re një veturë të tipit “Golf”. Shoferi i makinës Golf u përpoq të shmangte përplasjen, por humbi kontrollin dhe automjeti u përmbys.
36-vjeçari ndërroi jetë menjëherë pas aksidentit. Vajza e tij trevjeçare dhe partnerja 26-vjeçare, e cila ishte shtatzënë, u plagosën rëndë. Fatkeqësisht, vajza ndërroi jetë më vonë në spital. Ndërkohë, gjendja shëndetësore e partneres shtatzënë është stabilizuar dhe ajo nuk ndodhet më në rrezik për jetën, bëjnë të ditur mediat gjermane.
Policia dyshon se shkaktar i aksidentit është kamioni, drejtuesi i të cilit, pavarësisht dyshimeve se frenoi pas përplasjes, u largua nga vendi i ngjarjes.
Sipas dëshmitarëve, bëhet fjalë për një kamion me ngjyrë të errët dhe targa bullgare. Rimorkioja e tij dyshohet se kishte targa holandeze dhe transportonte një kontejner me ngjyrë të kuqe.
Kërkimet policore për kamionin dhe drejtuesin e tij po vazhdojnë intensivisht, por ata ende nuk janë gjetur.
