Mirlind Daku ka marrë mbështetje nga një prej figurave të njohura të futbollit rus, në një periudhë kur sulmuesi shqiptar po përshtatet me klubin e tij të ri, Spartak Moskën.
Daku u transferua pak javë më parë te gjiganti rus, pas një periudhe të suksesshme te Rubin Kazan, ku ishte një prej lojtarëve kryesorë dhe golashënuesve më të rëndësishëm të skuadrës, shkruan Indeksonline
Për situatën e tij ka folur ish-futbollisti dhe trajneri i njohur rus, Andrey Tikhonov, i cili e njeh mirë ambientin e Spartakut dhe ka kërkuar që Dakut t’i jepet kohë për t’u përshtatur me klubin e ri.
“Mirlind Daku është mësuar të jetë lider te Rubini. Një golashënues që është gjithmonë aty. Një lojtar që është vendimtar për rezultatet e ekipit. Ata thonë se ai ka një karakter fleksibël”, ka deklaruar Tikhonov për “Match TV”.
Megjithatë, ish-lojtari i Spartakut nuk pajtohet me përshkrimin e Dakut si një futbollist me karakter “fleksibël”, duke argumentuar se një lider duhet të ketë personalitet të fortë.
“Unë nuk e besoj. Asnjë lider nuk mund të ketë një karakter fleksibël. A mendoni se ai erdhi te Spartaku dhe nuk do të luajë?”, është shprehur ai.
Sipas Tikhonov, heshtja dhe paraqitjet jo aq të spikatura të Dakut në këtë fazë janë të lidhura me procesin e përshtatjes në klubin e ri.
“Ai po hesht tani sepse duhet të përshtatet. Po e humbet lojën e tij. Duhet t’i japim pak kohë”, ka theksuar legjenda e futbollit rus./Indeksonline/
