Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka pranuar më 14 shtator 2026, për trajtim dhe hetim, një rast të referuar nga Policia e Kosovës, lidhur me dyshimin për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme nga një zyrtar policor me detyrë Stacionin Policor Kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Sipas informatave fillestare të siguruara gjatë hetimit, më 9 shtator 2026, një punonjës i aeroportit kishte raportuar humbjen e një shume parash ( 105 eurosh).
Në kuadër të veprimeve hetimore dhe shqyrtimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë, është konstatuar se shuma e parave ishte gjetur nga një udhëtare, shtetase e Republikës së Kosovës me banim në Gjermani, e cila më pas ia kishte dorëzuar paratë një zyrtari policor.
Pas pranimit të rastit, IPK ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sigurimin dhe administrimin e informatave dhe provave fillestare. Bazuar në shkresat e pranuar për këtë rast, zyrtari policor ka pranuar se kishte marrë paratë, por ato nuk i kishte dorëzuar dhe trajtuar në pajtim me procedurat ligjore dhe institucionale të parapara për raste të tilla.
Sipas shkresave, zyrtari paratë më vonë i kishte vendosur në kutinë e donacioneve të një organizate bamirëse në Aeroport.
Duke vlerësuar ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm dhe me qëllim të sigurimit të kushteve të nevojshme për zhvillimin e papenguar të hetimeve, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin me pagesë të zyrtarit policor.
Hetimet nga IPK po vazhdojnë në drejtim të veprave penale “Përvetësimi në Detyrë” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
