Ku të shkoni dhe çfarë të shihni në javën e fundit të verës? Ja lista!

Kanë mbetur edhe pak ditë nga vera, por ende ka ngjarje të shumta nën qiell të hapur, koncerte, ekspozita dhe oferta gastronomike kudo – me një udhërrëfyes (Monday Marks) që përfshin Prishtinën, Tiranën dhe Shkupin. Më poshtë gjeni listën kryesore!

Kjo javë është e mbushur me aktivitete në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup: Shpat Deda e mbyll verën me një koncert nën qiell të hapur tek e.d.h.e, Mehmet Behluli hap ekspozitën “E errët është nata” në Galerinë Qahili, “Summer Culture 13” sjell gjashtë ditë teatër, performancë dhe art, “Komikos Comics Club” vazhdon me stripet e veta në “Storylab”, ndërsa Andrra dhe Blinera shtrojnë një tavolinë të gjatë për “A long story” në “Hamar”.

Më pas, “Zanzi Jazz Bar” rihapet për sezonin e ri, Galeria 17 e mbyll ciklin “Metamorphosis” me “Kacallarët”, “Luledielli Art Atelier” ju fton të kërkoni simbolet e jetës përmes artit, “Kino Armata” sjell Fundjavën e Filmit Tajvanez, dhe “Play Lab” e mbush Sheshin Nënë Tereza me aktivitete kreative për fëmijë.

Duke u zhvendosur pak më në perëndim në hartë, Tirana ofron performancën “Asgjë Sikur Dielli” me Babukën në “Tunél Terrace” dhe koncertin “Mes dashurisë dhe Mallit” me Flaka Gorancin dhe Silvana Skënderin në Operë. Ndërsa në Kuçkovë, pranë Shkupit, “KORA Festival” e çon fundverën drejt fundit me dy netë muzikë elektronike dhe mbi 30 DJ.

Pra: muzikë, film, art, teatër, ushqim, strip, vallëzim dhe pak introspeksion – mjaft arsye për të dalë nga shtëpia këtë javë të fundit verore!