Matt Donohue nuk është caktuar për asnjë ndeshje të Premier Leagues në javën e pestë, në mes të kritikave për rolin e tij si zyrtar i VAR-it në derbin e së dielës mes Manchester Unitedit dhe Manchester Cityt.
Manchester City, që ishte me 10 lojtarë, e mposhti Manchester Unitedin 1-0 në Old Trafford të dielën, falë golit të Erling Haalandit në pjesën e dytë.
Goli i Haalandit fillimisht u anulua për pozicion jashtë loje, përpara se VAR-i ta ndryshonte vendimin, pasi konstatoi se norvegjezi mbahej në lojë nga Patrick Dorgu i Unitedit.
Por Pro Ref, organi përgjegjës për mbikëqyrjen e arbitrimit profesionist në futbollin anglez, më vonë deklaroi se vendimi ishte një “gabim gjykimi”, për shkak të rolit që luajti mesfushori i Cityt, Enzo Fernandez, në aksion.
Donohue, i cili ishte përgjegjësi i VAR-it në “Old Trafford”, nuk është përfshirë në asnjë kapacitet në listën e zyrtarëve të ndeshjeve të Premierligës për javën e pestë.
Është një masë relativisht e zakonshme që Premierliga e ndërmerr kur një zyrtar përfshihet në kritika të mëdha, megjithëse liga nuk ka dhënë një arsye se pse Donohue është lënë jashtë për javën e pestë.
“The Guardian” raporton se Pro Ref u ka bërë të ditur Donohues dhe ndihmësit të tij të VAR-it, Blake Antrobus, se nuk kanë marrë emërime për ndeshjet.
Arbitri kryesor i ndeshjes, Michael Oliver, i cili nuk u dërgua te monitori i VAR-it për ta rishikuar incidentin, do të ndajë drejtësinë në ndeshjen Bournemouth – Liverpool.
Sa i përket golit të Haalandit, Pro Ref deklaroi se VAR-i fillimisht kishte përcaktuar se Fernandez, i cili ishte në një pozicion të qartë jashtë loje, nuk e kishte prekur topin dhe “për këtë arsye e bëri çdo shkelje subjektive”.
“Megjithatë, në këtë rast, VAR-i nuk e kuptoi ndikimin e mundshëm të pozicionit të tij dhe duhej të kishte rekomanduar një rishikim në fushë”, vijoi deklarata. Pro Ref konfirmoi se kishte kontaktuar me Unitedin “për të pranuar atë që ne e konsiderojmë si një gabim gjykimi”.
Pyetja ishte nëse Fernandez, i cili ishte në pozicion jashtë loje, kishte ndikuar në aftësinë e mbrojtësit të Unitedit, Lisandro Martinez, për ta luajtur topin.
Mesfushori argjentinas tentoi ta luante vetë topin, duke u hedhur me kokë drejt tij, gjë që dukej se ia pengonte pamjen Martinezit – edhe pse mund të vihej në pikëpyetje edhe tentativa e Martinezit për ta larguar krosimin.
Ekziston gjithashtu pozicionimi i portierit Senne Lammens, i cili bën një lëvizje të lehtë zhytjeje kur Fernandez shkon drejt topit, gjë që mund të ketë ndikuar në aftësinë e tij për ta pritur goditjen e Haalandit drejt portës.
Në një intervistë për “Sky Sports”, Martinez e përshkroi vendimin e VAR-it si “padrejtësi” dhe “të papranueshëm”.
“Ajo që nuk mund ta kuptoj janë rregullat, e dini? Ai [Fernandez] ishte aty. Unë shkova drejt tij sepse ishte përpara meje, prandaj Haaland ishte i lirë. Por tani dua të jem i qetë, dua ta kontrolloj veten”, tha mbrojtësi.
Trajneri i Unitedit, Michael Carrick, shprehu të njëjtat mendime, duke thënë: “Thjesht nuk e kuptoj. Vërtet nuk e kuptoj. Nuk mund ta kuptoj se si po përpiqen t’i ndihmojnë arbitrat dhe po vendosin kaq shumë nivele pas tyre, me kaq shumë njerëz, kaq shumë persona, kaq shumë ekrane dhe kaq shumë zyra apo çfarëdo qoftë tjetër, për të provuar të marrin vendimet e duhura. Nëse kështu interpretohen rregullat, atëherë nuk po ndërhyn në lojë sepse je hedhur drejt topit gjashtë metra larg portës dhe pothuajse e ke prekur. Është shqetësuese nëse kështu e shohin vërtet lojën ata që janë përgjegjës për arbitrimin”.
Trajneri i Cityt, Enzo Maresca, tha: “Erlingu ishte në pozicion të rregullt. Arbitri i katërt ma tha këtë; ai tha se ishte vetëm çështje e aksionit në qendër [Fernandezit]. Por unë mendoj se ishte plotësisht e qartë se ishte jashtë loje”.
Haaland i tha “Sky Sports”: “Mendoj se pati një devijim, kështu që mendova se ndoshta dikush e kishte devijuar topin, sepse zakonisht nuk dal jashtë loje. U thashë atyre… e mora personale që menduan se isha jashtë loje! Por shikova nga Enzo, trajneri, dhe ai më bëri me gishtin e madh lart, kështu që disi e kuptova se ishte gol”.
