Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëria Nagavci, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura president të Kosovës.

Nagavci ka shkruar se tërheqja e Sejdiut është humbje për një proces që, sipas saj, do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet.

“Tërheqja e prof. dr. Bekim Sejdiut nga gara për President të Republikës është humbje për një proces që do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet”, ka shkruar Nagavci.

Ajo ka thënë se, në vend që të krijohet hapësirë për personalitete të tilla që ta vënë dijen dhe përvojën në shërbim të shtetit, sipas saj, po krijohet një klimë politike që i demotivon ata.

Nagavci ka vlerësuar se përpjekja për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja po e dërgon Kosovën nga një bllokadë në tjetrën. Sipas saj, kjo po e bën më të vështirë ndërtimin e konsensusit që i duhet vendit.

“Përpjekja për ta çuar vendin me lehtësi drejt zgjedhjeve të reja po na dërgon nga një bllokadë në tjetrën, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë ndërtimin e një konsensusi që i duhet vendit”, ka thënë ajo.

Deputetja e VV-së, ka theksuar se Kosova nuk ka nevojë për bllokada të reja, por për përgjegjësi, stabilitet institucional dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

Në fund, Nagavci i ka shprehur respekt dhe mirënjohje Sejdiut për gatishmërinë që, me integritetin dhe profesionalizmin e tij, t’i shërbejë Republikës.

Bekim Sejdiu ka bërë të ditir se është tërhequr nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, pas mungesës së mbështetjes së nevojshme parlamentare dhe përfshirjes së procesit në përplasje të brendshme politike.