Shkruan: Naim Jakaj
Vetëm një ditë na ndan nga aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë. Pas vitesh në paraburgim dhe një procesi të gjatë gjyqësor, katër ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës presin një prej momenteve më të rëndësishme të rrugëtimit të tyre.
Megjithatë, kuptimi i këtij momenti nuk fillon në Hagë. Ai na kthen shumë më herët, në një kohë kur liria e Kosovës nuk ishte ende realitet, por një mundësi që duhej fillimisht të besohej, pastaj të organizohej dhe, në fund, të fitohej.
Sepse historia nuk është thjesht një renditje lineare e ngjarjeve në kohë. Ajo përcaktohet edhe nga momentet kur ndryshon mënyra se si njerëzit e kuptojnë botën dhe vendin e tyre në të. Çdo çlirim fillon shumë përpara fitores ushtarake apo politike; ai fillon në çastin kur shembet bindja se rendi ekzistues është i pandryshueshëm. Një popull nuk bëhet i lirë vetëm kur rrëzon pushtuesin, por edhe kur pushon së besuari se pushtuesi është i pamposhtshëm. Prandaj, historia e lirisë është, para së gjithash, histori e transformimit të vetëdijes.
Frantz Fanon shkruante se kolonializmi nuk pushton vetëm territorin, por synon të deformojë vetëdijen e të kolonizuarit, duke e bindur se rendi ekzistues është i natyrshëm dhe se rezistenca është e kotë. Çlirimi, sipas tij, nuk është vetëm proces politik apo ushtarak, është proces i rikthimit të dinjitetit dhe i rimarrjes së iniciativës mbi historinë.
Në historinë e Kosovës ka rrëfime që, përtej vlerës së tyre dokumentare, na lejojnë të kuptojmë çastin kur historia ndryshon drejtim. Rrëfimet e njërit ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, për vitet e para të organizimit të rezistencës së armatosur janë të tilla. Në pamje të parë, ato duken si kujtime personale. Në të vërtetë, ato dëshmojnë një paradoks historik. Rezistenca ekzistonte, por shoqëria ende nuk mund ta besonte ekzistencën e saj.
Në Runik të Skenderajt, në kulmin e terrorit serb, njërit prej pjesëtarëve të grupit, sipas Veselit, iu desh të shtinte një breshëri automatiku për ta ndalur sulmin me sëpatë të një civili shqiptar. “Ai nuk e paramendonte se shqiptarët ishin angazhuar në rezistencë të armatosur.”
Në Gucat të Malishevës, më 1993, Veseli dhe Nait Hasani mezi dolën nga vreshtat pasi banorët, të cilëve u kishin kërkuar udhëzime për rrugën, u organizuan t’ua kontrollonin rimorkion. “Ata nuk e besonin se shqiptarët ishin organizuar në rezistencë të armatosur.”
Më 1996, gjatë kalimit nëpër Jasiq dhe Voksh, së bashku me Luan Haradinajn dhe Avni Nurën, Veseli kujton se fshatarët kureshtarë kërkonin të shihnin çfarë bartnin në samarët e kalit. Edhe aty, problemi ishte i njëjtë. Njerëzve nuk ua merrte mendja se shqiptarët tashmë ishin organizuar në rezistencë të armatosur.
Një vit më vonë, në Ratkoc të Rahovecit, luftëtarëve u duhej të kamufloheshin në biseda të zakonshme me fshatarët që po vjelnin rrush, vetëm për të mos u dekonspiruar.
Në të gjitha këto rrëfime përsëritet e njëjta fjali, e njëjta ide dhe i njëjti paradoks. Rezistenca ekzistonte, por ende nuk besohej.
Ky është ndoshta paradoksi më i madh i çdo lëvizjeje çlirimtare. Pengesa e parë nuk është vetëm pushtuesi. Pengesa e parë është bindja kolektive se pushtuesi nuk mund të sfidohet.
Albert Camus shkruante se njeriu rebelohet në çastin kur thotë “jo”. Por ai “jo” nuk është vetëm refuzim ndaj padrejtësisë. Është refuzim për ta pranuar botën ashtu siç është. Rebelimi fillon kur njeriu vendos se kufijtë e vendosur mbi të nuk janë më kufijtë e tij.
Në Kosovën e viteve nëntëdhjetë, ky “jo” nuk u artikulua fillimisht në sheshe. Ai u artikulua në shtigje mali, në rimorkio të vogla, në samarë të kaujve dhe në rrugë të fshatrave dhe shtigjeve të maleve e rrugëve kodrinore. Liria po ndërtohej larg syrit të publikut, në një kohë kur edhe vetë publiku nuk mund ta besonte se ajo po merrte formë.
Pikërisht këtu rrëfimet e Kadri Veselit marrin një kuptim që e tejkalon kujtesën personale. Ato tregojnë se historia nuk ndryshon vetëm kur ndryshojnë raportet e forcës. Historia ndryshon kur ndryshon horizonti i së mundshmes.
Alain Badiou e quan këtë Ngjarje. Një çarje në rendin ekzistues që e bën të mundshme atë që deri atëherë dukej e pamundur. Subjekti formohet përmes besnikërisë ndaj kësaj të vërtete të re dhe duke vepruar sipas saj.
Në këtë kuptim, UÇK-ja nuk ishte vetëm organizim ushtarak. Ajo e bëri të mendueshme atë që për një pjesë të madhe të shoqërisë ende dukej e pamundur. Luftëtarët nuk bartnin vetëm armë; bartnin një ide të re për historinë e Kosovës.
Kulmi i këtij transformimi shfaqet në një rrëfim tjetër të rrëfyer nga Veseli.
Në prill të vitit 1998, pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pas rënies së Adem Jasharit me familjen e tij, disa studentë shkuan në Drenicë vetëm për t’u bindur nëse UÇK-ja ekzistonte vërtet. Kishin dëgjuar se luftëtarët lëviznin hapur, por nuk mund ta besonin. Kur panë ushtarë të uniformuar dhe të armatosur, njëri prej tyre u shemb emocionalisht.
Ky është ndoshta momenti më domethënës i gjithë rrëfimit.
Kolapsi i atij studenti nuk ishte shenjë e dobësisë. Ishte çasti kur u shemb një botëkuptim i tërë.
Për vite me radhë, pushteti serb kishte ndërtuar bindjen se rezistenca shqiptare nuk mund të ekzistonte. Për vite me radhë, frika kishte kolonizuar jo vetëm jetën publike, por edhe imagjinatën politike të njerëzve. Kur studenti pa me sytë e tij një ushtri shqiptare të organizuar, nuk u rrëzua nga frika. U rrëzua nga pesha e një realiteti që deri atëherë kishte qenë i paimagjinueshëm. Në këtë moment, rrëfimi individual merr një kuptim më universal për përvojën e çlirimit.
Shembja emocionale është pikërisht transformimi i qenies së kolonizuar. Në parathënien e tij për “Të mallkuarit e botës” të Frantz Fanon-it, Jean-Paul Sartre e çon në skaj argumentin antikolonial të Fanon-it: për të, përballja me kolonizatorin nuk ndryshon vetëm raportin politik të forcës, por synon të shkatërrojë edhe frikën dhe ndjenjën e inferioritetit që kolonializmi kishte përbrendësuar te i kolonizuari.
Prandaj, çlirimi i Kosovës filloi shumë më herët, në ato netët kur armët kalonin fshehurazi nëpër fshatra, në ato shtigje ku luftëtarët duhej të fshiheshin edhe nga bashkëkombësit e tyre, sepse askush nuk mund ta imagjinonte se një ushtri shqiptare tashmë po ndërtohej.
Ky është edhe mësimi që bashkon këto rrëfime. Liria nuk ndërtohet vetëm duke fituar beteja, por duke ndryshuar atë që një shoqëri beson se është e mundur.
Më 16 shtator, fjala liri do të marrë edhe një kuptim tjetër për katër njerëz që dikur ishin pjesë e asaj përpjekjeje. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të presin aktgjykimin pas një rruge të gjatë gjyqësore në Hagë.
Një kthim i tyre si njerëz të lirë do të krijonte një nga ato simetri që historia rrallë i prodhon. Njerëz që dikur kalonin fshehurazi male e kufij, duke besuar në lirinë e një Kosove që ende nuk ekzistonte si realitet, do t’i kalonin sërish kufijtë për t’u kthyer të lirë në Kosovën e lirë.
Por ky nuk do të ishte kthim në të njëjtën pikë. Historia nuk lëviz në rreth, por më shumë në spirale: në një lëvizje dialektike, ajo rikthehet, por e transformuar nga gjithçka që ka ndodhur ndërmjet. Dikur kalonin ilegalisht kufijtë, me nofka dhe armë, drejt një Kosove që duhej të çlirohej. Sot do të ktheheshin në një Kosovë të lirë. Jo në pikën prej nga ishin nisur, por një shkallë më lart në të njëjtën histori.
