**Kongresi amerikan diskuton Ballkanin Perëndimor: Kosova, Vuçiq dhe sanksionet ndaj Dodikut në fokus**
Nënkomiteti për Evropën, pjesë e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, do të mbajë sot një seancë dëgjimore lidhur me politikën amerikane dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Seanca, e titulluar “Politika e SHBA-së dhe sfidat e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, do të nisë në orën 10:00 sipas kohës lokale në Uashington, ose në orën 16:00 në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Përveç Kosovës, e cila pritet të jetë pjesë e diskutimeve për zhvillimet politike dhe sigurinë rajonale, sipas raportimeve të mediave boshnjake, në fokus të veçantë do të jenë edhe Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Këto informacione i ka bërë të ditura “Vijesti”.
Para ligjvënësve amerikanë do të dëshmojë Daniel J. Lawton, Zëvendës Ndihmës Sekretar në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike pranë Departamentit të Shtetit. Seanca do të drejtohet nga republikani Keith Self, kryetari i Nënkomitetit për Evropën.
Një nga temat kryesore që pritet të marrë vëmendje është politika e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Kongresmeni republikan Joe Wilson, anëtar i komitetit, e ka kritikuar ashpër Vuçiqin në javët e fundit, lidhur me zhvillimet në Serbi dhe veçanërisht për ceremoninë e varrimit të ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç, i cili është dënuar për gjenocid dhe krime lufte.
Gjithashtu, në fokus pritet të jenë Republika Srpska dhe sanksionet ndaj Milorad Dodikut. Kongresmeni William Keating ishte ndër nënshkruesit e një letre drejtuar Departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë, ku kërkohej rishikimi i vendimit për heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut dhe zyrtarëve të tjerë të lidhur me autoritetet e Republikës Srpska.
Ndërkohë, më 16 dhe 17 shtator, në Senatin amerikan janë planifikuar seanca dëgjimore për kandidatë për poste diplomatike. Mes tyre është edhe Ronald Johnson, i nominuar nga ish-presidenti Donald Trump për ambasador të SHBA-së në Bosnjë-Hercegovinë.
Seanca e Dhomës së Përfaqësuesve është e hapur për publikun dhe pritet të transmetohet drejtpërdrejt përmes faqes zyrtare të Komitetit të Punëve të Jashtme.
