Prokurorja Laura Pula ka arritur moshën e pensionimit, pas një karriere shumëvjeçare në sistemin prokurorial të Kosovës.

Me këtë rast, në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit është organizuar një takim përcjellës në nderim të punës dhe kontributit të saj ndër vite.

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, i ka ndarë Pulës një mirënjohje për kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë ushtrimit të detyrës.

Gashi e ka vlerësuar lart angazhimin dhe përgjegjshmërinë profesionale të Pulës, duke e falënderuar për punën dhe kontributin e dhënë në shërbim të institucionit dhe sistemit të drejtësisë.

Kryeprokurori i Shtetit i ka uruar prokurores Pula shëndet, mirëqenie dhe të gjitha të mirat në kapitullin e ri të jetës së saj.

Në përfundim të takimit, Laura Pula ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për bashkëpunimin gjatë viteve të karrierës së saj profesionale, duke vlerësuar kolegët dhe bashkëpunëtorët me të cilët ka punuar ndër vite.