Përdorimi i pompave termike në Zvicër është rritur ndjeshëm, ndërsa ngrohja me naftë vazhdon të humbasë terren.
Një në katër ndërtesa banimi në Zvicër ishte e pajisur me pompë termike gjatë vitit 2025, duke dëshmuar rritjen e vazhdueshme të përdorimit të këtij sistemi të ngrohjes.
Sipas të dhënave të publikuara të martën nga Zyra Federale e Statistikave (BFS), në fund të vitit 2025 në Zvicër kishte rreth 1.8 milion ndërtesa me përdorim banimi dhe 4.88 milionë banesa. Pavarësisht rritjes së pompave termike, nafta mbetet burimi kryesor i ngrohjes, me 33% të ndërtesave, ndërsa 17% ngrohen me gaz, përcjell albinfo.ch.
Pjesa e ndërtesave të pajisura me pompë termike ka arritur në 25%, gjashtë herë më shumë se në vitin 2000. Në tri të katërtat e ndërtesave të ndërtuara gjatë dhjetë vjetëve të fundit është instaluar një pompë termike, ndërsa ky sistem përdoret në rreth 30% të shtëpive individuale.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 12% e ndërtesave në Zvicër ngrohen me dru dhe 7% me energji elektrike. Ndërkohë, dallime të konsiderueshme vërehen në përdorimin e gazit mes zonave urbane dhe rurale. Në komunat urbane, 29% e ndërtesave ngrohen me gaz, ndërsa në ato rurale vetëm 4%.
Në Zvicër, sipërfaqja mesatare e banimit për person ishte 46.6 metra katrorë në vitin 2025. Më pak hapësirë mesatare për person kishte rajoni i Liqenit të Gjenevës, me 42.5 metra katrorë, ndërsa vlerat më të larta u regjistruan në Ticino, me 49.8 metra katrorë, dhe në Zvicrën Lindore, me 49.7 metra katrorë.
