Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili u mbështet nga Perëndimi për ta udhëhequr vendin drejt pavarësisë, pritet të marrë sot vendimin e gjykatës. Gjyqtarët ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara në Hagë do të shpallin aktgjykimin në procesin për krime lufte, raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve Associated Press.
Thaçi përballet me akuza të shumta për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, torturë dhe persekutim. Këto akuza ndahen me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët luftuan kundër forcave serbe në konfliktin e viteve 1998-99. Në Kosovë, ata konsiderohen gjerësisht si heronj kombëtarë.
Gjatë fundjavës, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katër ish-udhëheqësve. Protestuesit mbushën sheshin qendror të kryeqytetit, shumë prej tyre duke valvitur flamujt kuqezi shqiptarë.
Portretet e katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së janë shfaqur nëpër qytet, ndërsa një orë e madhe dixhitale numëronte mbrapsht kohën deri në shpalljen e aktgjykimeve të sotme.
“Në emër të popullit, shpallini të pafajshëm”, shkruhej në njërën prej pankartave.
Prokurorët e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë kanë kërkuar dënimin maksimal prej 45 vjetësh burg për Thaçin dhe të pandehurit e tjerë: Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Të gjithë e kanë mohuar akuzën kundër tyre.
“Gjatë gjithë jetës sime, kam qëndruar pranë popullit të Kosovës duke mbrojtur lirinë, jetën dhe dinjitetin. Gjithmonë jam udhëhequr nga idealet perëndimore të demokracisë, barazisë dhe drejtësisë”, u shpreh Thaçi para gjyqtarëve në shkurt, në përfundim të gjykimit të tij gati trevjeçar.
Sipas prokurorëve, të pandehurit kishin vënë në shënjestër kundërshtarët politikë dhe civilët e konsideruar bashkëpunëtorë ose tradhtarë gjatë veprimtarisë së tyre në UÇK.
Personeli i gjykatës, e cila mbështetet nga Bashkimi Evropian, është kryesisht ndërkombëtar, për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Kjo Gjykatë, në vitin 2022, dënoi dy drejtues të një shoqate të veteranëve të luftës së Kosovës për frikësim dëshmitarësh, pasi publikuan dokumente konfidenciale të zbuluara.
Thaçi përballet gjithashtu me një gjykim të veçantë me akuzën e frikësimit të dëshmitarëve, i cili pritet të fillojë më vonë gjatë këtij muaji.
Thaçi ishte një student i kthyer nga ajo që ai e cilësonte si mërgim politik në Zvicër, për t’iu bashkuar luftës së Kosovës për pavarësi. Ai fitoi nofkën “Gjarpri” për shkak të aftësisë së tij për t’iu shmangur forcave serbe gjatë konfliktit.
Ai u mbështet nga liderët perëndimorë, të cilët e ftuan në bisedimet e paqes të vitit 1999 në Francë, në cilësinë e drejtorit politik të UÇK-së. Ai shihej si një lider i aftë ta udhëhiqte vendin drejt pavarësisë, shkruan Associated Press.
Pas luftës, Thaçi u ngjit në pushtetin politik, por dha dorëheqjen nga posti i presidentit për t’u mbrojtur para gjykatës në Hagë.
Shumica e 13,000 viktimave të luftës në Kosovë ishin shqiptarë. Një fushatë 78-ditore e sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave serbe i dha fund konfliktit. Gati 1 milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, një akt që Beogradi refuzon ta njohë. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të tensionuara, pavarësisht viteve të negociataave të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.
