KFOR mohon raportet për avionë ushtarakë në Prishtinë: Ishte një avion transporti belg

**Prishtinë** – KFOR ka mohuar zërat se dy avionë ushtarakë kanë ateruar dje në Prishtinë. Nëpërmjet një komunikate për media, forca paqeruajtëse sqaroi se bëhej fjalë për një avion transporti belg.

Sipas KFOR-it, avioni belg zbriti dje pasdite në Prishtinë dhe nuk ishte i përfshirë në asnjë aktivitet në mbështetje të misionit.

“KFOR-i e mohon atë që është raportuar lidhur me lajmet e publikuara sot nga disa media shqiptare,” thuhet në komunikatë. Më tej, saktësohet se “dje pasdite, një avion transporti belg ka zbritur në Prishtinë”, duke sqaruar se “ky avion nuk ka qenë i përfshirë në asnjë aktivitet në mbështetje të KFOR-it.”

KFOR-i rithekson pozicionimin e tij të fortë në të gjithë Kosovën për të menaxhuar situata të ndryshme sigurie. Misioni vazhdon të zbatojë plotësisht mandatin e tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit. Qëllimi mbetet kontributi në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe sigurimi i lirisë së lëvizjes, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, si aktorë kyç të sigurisë në rolet e tyre përkatëse.