**Kandiq: Mungesa e dënimeve për kriminelët serbë, justifikon pakënaqësinë në Kosovë**

Natasha Kandiq, drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare (FHP), ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ajo theksoi se, ndonëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u shpallën fajtorë për kontribut në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, pakënaqësia në Kosovë për mungesën e dënimeve ndaj zyrtarëve serbë është e justifikuar.

Kandiq shpjegon se pakënaqësia e thellë e qytetarëve të Kosovës vjen nga mungesa pothuajse e plotë e ndjekjeve penale ndaj oficerëve të lartë të Ushtrisë Jugosllave (UJ) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP) për krime lufte.

Duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga FHP dhe FHP Kosovë, Kandiq theksoi se “forcat serbe vranë 6,872 civilë shqiptarë në Kosovë ndërmjet 20 marsit dhe 14 qershorit 1999”.

Ajo e përforcoi argumentin duke cituar: “Njëzet e shtatë vjet më vonë, asnjë komandant i lartë i Ushtrisë Jugosllave apo MUP-it nuk është ndjekur penalisht në Serbi për operacionet gjatë të cilave u vranë mijëra civilë, pavarësisht mijëra fakteve të përcaktuara në aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë lidhur me veprimet e njësive të UJ-së dhe MUP-it dhe lidhjet e tyre me strukturat komanduese të drejtuara nga gjeneralë të cilët përfundimisht u dënuan.”

Sipas Kandiqit, “një mosveprim i tillë institucional tregon se Serbia vazhdon të mbajë anën e personave të dënuar dhe të mbrojë oficerët e UJ-së dhe MUP-it të lidhur me strukturat përgjegjëse për krimet më të rënda ndaj shqiptarëve të Kosovës, në vend që të qëndrojë me viktimat dhe të ndjekë përgjegjësinë individuale penale.” Këtë reagim Kandiq e bëri publik në platformën X.