Mimoza Kusari-Lila beson në korrigjimin e vendimit të Hagës, kërkon unitet dhe maturi
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka vlerësuar si të rëndë dhe thellësisht trishtues vendimin e fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një deklaratë për KosovaPress, Kusari-Lila shprehu besimin se verdikti mund të rishikohet dhe korrigjohet përmes hapave të mëtejshëm ligjorë. Ajo theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar dhe të një planifikimi të kujdesshëm në këtë periudhë.
“Vendimi i djeshëm ka qenë trishtues dhe i rëndë, jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët. Sigurisht, e kuptoj frustrimin dhe protestën. Ajo që është thelbësore në këto momente është të jemi të matur dhe të ndërmarrim veprimet e duhura që do të çojnë në lirimin e plotë dhe të pakusht të katër krerëve të UÇK-së, të cilët padrejtësisht u goditën me vendimin e djeshëm. Ajo që ndodhi dje ka mundësi dhe hapësirë të korrigjohet, por duhet të jemi të bashkuar me një plan të qartë dhe natyrisht, me maturi të lartë të planifikojmë hapin e radhës,” përfundoi Kusari-Lila.
