Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë viteve të fundit më shumë se gjysma e rasteve me kancer të gjirit janë zbuluar në stadet e hershme, përkatësisht në stadin e parë dhe të dytë, kur trajtimi është më i lehtë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka njoftuar se kjo çështje është diskutuar në tryezën me temën “Përtej tetorit rozë, së bashku për shëndetin”, ku është vënë në pah rëndësia e kontrolleve të rregullta.
Ai ka theksuar se institucionet duhet të sigurojnë qasje më të lehtë në kontrolle dhe trajtim për gratë që përballen me këtë sëmundje.
“Detyra jonë është të shkurtojmë distancën mes shqetësimit dhe kontrollit, mes diagnozës dhe trajtimit, mes gruas që kërkon ndihmë dhe institucionit që i përgjigjet asaj. Pas thirrjes, mundësia dhe qasja për ta kryer kontrollin duhet të jetë shumë e lehtë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se mamografia ofrohet falas gjatë gjithë vitit, ndërsa gjatë muajit tetor mamografi mobil viziton qytetet e Kosovës për t’ua afruar këtë shërbim grave.
“Për pacientët që kanë nevojë për trajtim, në Onkologji janë përmirësuar kushtet dhe janë instaluar aparatura të teknologjisë së fundit. Ndërsa rikonstruktimi i gjirit ofrohet falas dhe pa pritje”, ka deklaruar Kurti.
Në fund, kryeministri ka theksuar se ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit nuk duhet të kufizohet vetëm në muajin tetor, por të shndërrohet në kujdes të vazhdueshëm për shëndetin.
“Përveç mesazhit ndërgjegjësues e përtej tetorit rozë, bashkërisht synojmë nxitjen e një kulture të kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin publik, për shëndetin e secilit, duke inkurajuar njëri-tjetrin që të mos e shtyjmë kontrollin”, ka shkruar Kurti.
