**Kosova: Dy Ditë Pas Aktgjykimit në Hagë, Heshtje Institucionale dhe Mungesë Reagimesh Zyrtare**
Dy ditë pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë, institucionet publike të Kosovës vazhdojnë të mos kenë shprehur asnjë reagim zyrtar serioz. Deri më tani, jo vetëm që nuk është formuluar ndonjë qëndrim, por nuk është caktuar asnjë afat për t’u mbledhur dhe për të përcaktuar hapat e duhur.
Sjellja e institucioneve publike po ngjason me atë sikur kjo ngjarje të mos kishte asnjë lidhje me Kosovën, duke u treguar indiferente ndaj implikimeve të saj.
Në këto dy ditë, nuk është raportuar për asnjë takim në nivel të Qeverisë, Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Kuvendit apo Ministrisë së Drejtësisë. Mungon një koordinim mes institucioneve relevante për të trajtuar këtë situatë me rëndësi të veçantë.
Ky aktgjykim prek drejtpërdrejt Kosovën, të kaluarën dhe të ardhmen e saj, prandaj çdo formë inercie apo injorimi i tij është e papranueshme.
Pritet që institucionet e Kosovës të mblidhen pa vonesë, të analizojnë thellësisht aktgjykimin dhe pasojat e tij, të koordinohen mes tyre dhe të formulojnë qëndrime e veprime serioze institucionale në emër të Republikës.
Heshtja në këtë situatë nuk mund të konsiderohet qëndrim serioz apo shtetëror. Ajo interpretohet si indiferencë ndaj publikut dhe interesave të Kosovës, si dhe si një formë tradhtie ndaj së kaluarës dhe personave që po mbahen në Hagë me dënime monstruoze.
