UBT lançon Kampusin Virtual Global, një model i ri për arsimin pa kufij
UBT ka prezantuar zyrtarisht konceptin e ri inovativ në arsim, “Kampusin Virtual Global” (Global Virtual Campus), një platformë që synon të transformojë mënyrën e ofrimit të edukimit në shkallë botërore, falë një partneriteti strategjik me EON Reality.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky model përbën një hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së arsimit gjithëpërfshirës dhe të aksesueshëm për të gjithë.
“Kampusi Virtual Global është një koncept dhe model i së ardhmes, i cili mundëson ofrimin e përmbajtjes dhe cilësisë së njëjtë të arsimit kudo në botë, me të njëjtin potencial dhe përvojë, duke kursyer kohë dhe me kosto të përballueshme për të gjithë. Kjo qasje e aksesueshme dhe e përballueshme, kudo dhe në çdo kohë, përbën thelbin e Kampusit Virtual Global, të cilin po e ofrojmë përmes partneritetit tonë me EON,” shtoi Rektori Hajrizi.
Rektori Hajrizi theksoi se UBT ka një përvojë të gjatë dhe të suksesshme në arsimin e lartë, duke u renditur ndër institucionet globale më të vlerësuara në fusha kyçe si inovacioni, qëndrueshmëria, sipërmarrja dhe shkenca.
Ai nënvizoi gjithashtu se institucioni njihet për standarde të larta cilësie dhe është akredituar nga mekanizma ndërkombëtarë, përfshirë British Accreditation Council. Gjithashtu, UBT gëzon një njohje të fortë në lidhje me sistemin amerikan të arsimit.
“Besojmë fuqishëm në rëndësinë e kontaktit njerëzor dhe bashkëpunimit fizik, por në të njëjtën kohë duhet të shfrytëzojmë plotësisht potencialin që ofron inteligjenca artificiale për të rritur cilësinë dhe për të zgjeruar qasjen në arsim,” theksoi Rektori Hajrizi.
Një nga shtyllat kryesore të këtij transformimi është integrimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të avancuara të vizualizimit në procesin mësimor. Sipas Hajrizit, përvoja e gjatë e partneritetit me platforma inovative si EON ka bërë të mundur ndërtimin e një sistemi që garanton cilësi të lartë të mësimdhënies, pavarësisht vendndodhjes së studentëve.
Kampusi Virtual Global synon të ofrojë përmbajtje dhe standarde të njëjta edukimi kudo në botë, duke eliminuar barrierat gjeografike dhe kohore, dhe duke hapur një epokë të re të arsimit global.
