Analisti politik, Ilir Deda, ka theksuar se në Kosovë ekziston një propagandë e orkestruar, e cila synon të dekurajojë qytetarët nga shprehja e revoltës ndaj dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë.

“Ka propagandë në Kosovë që synon t’i dekurajojë njerëzit të shprehin revoltën ndaj dënimit. Nuk e di kush qëndron pas kësaj propagande. Është krijuar një narrativë tjetër, e cila fokusohet te vlerësimi i qeverisjes së ish-krerëve të UÇK-së. Por kjo nuk lidhet me qeverisjen; bëhet fjalë për dënimin e kauzës së lirisë së Kosovës. Nuk mund të përdoret gjithçka për qëllime të luftës sonë të brendshme politike,” është shprehur Deda gjatë një interviste për Tëvë1.

Deda shtoi se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet maksimalisht për të siguruar që procesi i apelit në Gjykatën Speciale të përfundojë në favor të Kosovës.

“Qeveria duhet të mbështesë financiarisht mbrojtjen ligjore dhe, po ashtu, të gjejë personalitete me ndikim në arenën ndërkombëtare, të cilët mund të ndikojnë pozitivisht në këtë proces,” përfundoi ai.