Lily Collins i jep lamtumirën serialit “Emily in Paris”
Aktorja amerikane Lily Collins ka njoftuar përfundimin e xhirimeve të serialit të suksesshëm “Emily in Paris”, ku ajo luan rolin kryesor. Lajmin e bëri të ditur vetë aktorja dje, përmes një postimi emocional në profilin e saj në Instagram. Collins kaloi ditën e saj të fundit në sheshin e xhirimit, duke interpretuar për herë të fundit personazhin e dashur të Emily Cooper në këtë prodhim hit të Netflix.
Në postimin e saj, Collins shprehu emocionet e thella për këtë eksperiencë. “Jam pa fjalë. Është e pamundur të gjej fjalë për të përshkruar rëndësinë e këtij udhëtimi për mua. Për kaq shumë vite, Emily ka qenë pjesë thelbësore e jetës sime dhe gjatë çdo sezoni ajo ka vazhduar të më surprizojë, frymëzojë dhe sfidojë,” shkroi aktorja.
Më pas, ajo shfrytëzoi rastin të falënderonte regjisorin e serialit, Darren Starr, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë dhe aktorët që kontribuan në realizimin e këtij projekti. Collins vuri në dukje mirënjohjen e saj të thellë për mundësinë që iu dha të sillte në jetë këtë personazh, një grua amerikane pafundësisht optimiste në Paris, e cila vazhdimisht e gjen veten jashtë zonës së saj të rehatisë, duke mësuar t’i besojë vetes ndërsa mbështetet te të tjerët në lundrimin e jetës së saj të re.
“Jam shumë mirënjohëse që më besuat mua për ta sjellë në jetë. Faleminderit ekipit tonë të pashoq, shkrimtarëve tanë, regjisorëve tanë dhe sigurisht kastit tonë të jashtëzakonshëm që tani janë familje dhe pa të cilët nuk mund ta imagjinoj këtë,” vijoi ajo, duke nënvizuar lidhjet e forta të krijuara në shesh xhirimi.
Gjithashtu, Collins nuk harroi të falënderonte edhe shikuesit për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndër vite. “Ky kapitull do të mbetet me mua përgjithmonë. Të them lamtumirë ndjehet krejtësisht surreale dhe e hidhur, por më së shumti ndihem jashtëzakonisht krenare dhe mirënjohëse që munda të isha ajo. Dhe të isha pjesë e diçkaje kaq të gëzueshme. Kjo më ka ndryshuar përgjithmonë. Mirupafshim, Emily Cooper,” përmbylli Collins mesazhin e saj prekës.
Seriali “Emily in Paris” pati premierën në vitin 2020 dhe sezoni i gjashtë, i cili sapo ka përfunduar xhirimet, pritet të mbyllet më 24 dhjetor. Krahas Lily Collins, në kastin e suksesshëm të serialit përfshihen edhe aktorë të tjerë si Philippine Leroy-Beaulieu, Ashley Park, Lucas Bravo, Samuel Arnold, Bruno Gouery, William Abadie, Lucien Laviscount, Minnie Driver dhe Paul Forman.
