Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Misetić, ka deklaruar se Gjykata Speciale, në një masë të konsiderueshme, i ka cilësuar si kriminale metodat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për arritjen e pavarësisë, duke theksuar se “as Prokuroria nuk shkoi kaq larg”.
Në deklaratën e tij, Misetić theksoi se “Trupi Gjykues ka vendosur se një pjesë e qëllimit kriminal të anëtarëve të Sipërmarrjes së Përbashkët Kriminale (SPK) dhe ‘të tjerëve në udhëheqjen e UÇK-së’ ishte arritja e pavarësisë së Kosovës përmes krimeve të luftës. Madje, as Prokuroria nuk shkoi kaq larg.”
Këto komente, Misetić i bëri duke iu referuar një deklarate të Marko Prelecit, përfaqësues i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i cili një ditë më parë kishte shprehur se reagimet në Kosovë ngjasojnë shumë me ato të kroatëve gjatë rasteve në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Prelec vlerëson se si në Kroaci ashtu edhe në Kosovë ekziston një keqkuptim, pasi këto raste nuk lidhen fare me legjitimitetin e luftës për pavarësi. Ai thekson se gjyqtari i Hagës, Smith, është përpjekur maksimalisht për ta nënvizuar këtë fakt.
Misetić i dha të drejtë Prelecit “pjesërisht” lidhur me këtë vërejtje. Ai saktësoi: “Marko Prelec ka pjesërisht të drejtë që gjykata nuk e deklaroi të paligjshme të drejtën e Kosovës për pavarësi (ajo nuk kishte juridiksion për ta bërë këtë), por gjykata deklaroi se mjetet e përdorura për të arritur pavarësinë e Kosovës ishin, në një masë të konsiderueshme, kriminale.”
Në një koment të dytë në platformën X, Prelec iu përgjigj sërish Misetićit, duke thënë: “E drejta e Kosovës për pavarësi, ashtu si e drejta e Kroacisë, nuk është dhe nuk mund të jetë në bankën e të akuzuarve. Të veprosh sikur është, vetëm sa na bën të dukemi keq.”
