Kryeministri Albin Kurti ka mbërritur në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), ku do të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kurti u prit atje nga ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli, si dhe shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, ambasadori Blerim Reka.

Siç njoftoi dje Zyra e Kryeministrit (ZKM), Kurti pritet të zhvillojë takime bilaterale me liderë botërorë. ZKM theksoi se “qëllimi kryesor i takimeve do të jetë promovimi dhe forcimi i vlerave dhe interesave kyçe shtetërore të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Gjithashtu, ZKM bëri të ditur se kryeministri Kurti ka në plan të takojë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA, përfaqësues të shoqatave të diasporës dhe investitorë potencialë në ekonominë e Kosovës.