Policia e Kosovës ka bërë të ditur se protestuesit mbrëmë kanë qëndruar rreth 30 minuta para objektit të EULEX-it, dhe ka raportuar për kolona trafiku e drejtim të rrezikshëm të automjeteve.
Përmes një komunikate, Policia e Kosovës ka informuar për tubimin e mbrëmshëm të qytetarëve në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se situata ishte përgjithësisht e qetë dhe pa incidente të raportuara.
Policia theksoi se me njësitë e saj ka menaxhuar situatën e sigurisë dhe ka monitoruar zhvillimet, duke kontrolluar njëkohësisht edhe rrjedhën e trafikut.
“Situata ka qenë kryesisht e qetë, nuk është raportuar për ndonjë incident në aspektin e sigurisë,” citohet në komunikatë.
Megjithatë, më pas, policia ka bërë të ditur se ka pasur raste të drejtimit të rrezikshëm të automjeteve, duke krijuar edhe kolona në trafik.
“Rreth orës 23:30, pjesëmarrësit kanë filluar të shpërndaheshin qetësisht, por një numër i caktuar i tyre kanë vazhduar lëvizjen në drejtim të bazës së EULEX-it, për të vazhduar me protestën para objektit të këtij institucioni. Pjesëmarrësit kanë qëndruar rreth 30 minuta pranë objektit të EULEX-it, dhe më pas janë nisur në drejtim të kryeqytetit, ku me automjetet e tyre kanë vazhduar të parakalonin nëpër disa rrugë. Këto parakalime me automjete, përveç shkaktimit të kolonave në trafik, janë shoqëruar edhe me drejtim të rrezikshëm, madje duke shkaktuar rrezik për pjesëmarrësit e tjerë në trafik, si dhe për veten e tyre.”
Policia e Kosovës ka deklaruar se është detyruar të ndërmarrë masa shtesë në trafik, të ndërpresë dhe riorientojë përkohësisht atë, me qëllim të garantimit të një rrjedhe të sigurt trafiku dhe shmangies së bllokimeve e aksidenteve të mundshme nga drejtimi i rrezikshëm dhe i pakujdesshëm i automjeteve, veprime këto që kanë zgjatur deri në orët e vona pas mesnatës.
“Zyrtarët policorë do të vazhdojnë angazhimet e tyre për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për respektimin e të drejtës së qytetarëve të vendit për shprehjen e pakënaqësisë së tyre në mënyrë demokratike, në përputhje me ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës. Njëkohësisht, do të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj atyre që bien ndesh me ligjin dhe ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat e trafikut rrugor,” theksohet në komunikatë.
Në fund, policia ka falënderuar qytetarët dhe ka apeluar për kujdes të shtuar, për të mos dëmtuar pronën publike dhe për të respektuar rregullat e trafikut.
“Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar në vazhdimësi me policinë, dhe njëkohësisht apelon që të tregohet kujdes i shtuar, të mos dëmtohet prona publike dhe private, të respektohen ligjet, e në veçanti rregullat e trafikut rrugor, sepse kjo është në interes të sigurisë së përgjithshme,” përfundon komunikata.
