**Dodë Gjergji: “Të bashkohemi për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë”**

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, reagoi ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Nëpërmjet një komunikate, Imzot Dodë Gjergji deklaroi se vendimi ka shkaktuar “hidhërim të thellë dhe thartirë në shpirt”.

Ai e lidhi situatën aktuale me periudhat historike kur shqiptarët kanë bërë sakrifica për mbrojtjen e gjuhës, dinjitetit dhe të drejtës për liri, duke përmendur, ndër të tjera, Don Mikel Tarabulluzin dhe shkollën shqipe. Sipas tij, vendimi i Dhomave të Specializuara ka kujtuar “kalvarin” e padrejtësive historike.

“Na mbetet vetëm një gjë: Të bashkohemi për ta bindur drejtësinë të jetë e drejtë ndaj nesh”, shkroi Imzot Gjergji.

Ai bëri thirrje që dhimbja dhe zemërimi të mos errësojnë arsyen dhe urtësinë e qytetarëve. “Prandaj, çdo reagim duhet të jetë i matur, paqësor dhe i përgjegjshëm, në shërbim të përpjekjes juridike dhe institucionale për ta kundërshtuar dhe ndryshuar këtë vendim, e kurrë kundër vetë drejtësisë si vlerë”, deklaroi ai.

Imzot Gjergji kërkoi nga institucionet dhe klasa politike në Kosovë të tregojnë përgjegjshmëri dhe të bashkëpunojnë përballë çështjeve që, sipas tij, cenojnë lirinë, dinjitetin dhe kujtesën historike të popullit. “Interesi i vendit kërkon maturi, bashkërendim institucional dhe përgjegjësi të përbashkët”, shtoi ai.

Ipeshkvi theksoi nevojën për bashkim rreth së vërtetës, dinjitetit dhe përgjegjësisë për të ardhmen, si dhe për forcimin e miqësive me vendet që e kanë mbështetur Kosovën. Ai theksoi gjithashtu se situata duhet të përballohet me pjekuri dhe dinjitet, duke paralajmëruar se zemërimi i tepruar, hapat e nxituara ose veprimet e vonuara mund ta dëmtojnë të ardhmen.

“Si Kishë, nuk mund të gjykojmë as njerëz, as drejtësinë; por as nuk mund të heshtim kur plagoset ndërgjegjja dhe liria e fituar me gjak”, shkroi Imzot Gjergji. Ai shtoi se detyra e Kishës është “të kërkojë të vërtetën pa urrejtje, drejtësinë pa hakmarrje dhe pajtimin pa harruar atë që është e drejtë”.

“Kosovës sot nuk i duhet më zhurmë. Ajo ka nevojë për urtësi, bashkim, qëndrueshmëri dhe besim”, përfundon deklarata e Imzot Dodë Gjergjit.