Një rrëfim emocional i një ish-ushtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka prekur të pranishmit në protestën që po mbahet sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Duke kujtuar ditët e luftës, ai tha se hyrja në radhët e UÇK-së ishte një rrugë pa kthim.
“Jam hy në një rrugë që s’ka kthim ma. Uniformën e parë që e kam veshë ma ka dhënë djali i dëshmorit Hasan Ramadani”, rrëfeu ai.
Ai tha se ajo uniformë për të kishte një peshë të veçantë dhe ishte shumë më tepër se një veshje.
“Ajo uniformë ka qenë fuqi e madhe. Me një automatik 47 dhe 30 fishekë përballë Serbisë, çfarë kemi mujt me ba?. Por u kanë kënaqësi e madhe”, u shpreh ai.
Rrëfimi i tij ishte pjesë e programit të protestës “Jo në emrin tim”, e cila po mbahet sonte për të 12-tën natë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë./Indeksonline.
