Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ashpër ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), duke e cilësuar si të pavërtetë, fyese dhe me prapavijë politike raportimin se kjo parti kërkon “uljen e dënimeve për krerët e UÇK-së”.

Sipas PDK-së, në një kronikë të transmetuar në edicionin qendror të lajmeve të RTK-së, thuhej se PDK-ja kishte kërkuar një gjë të tillë, gjë që, sipas partisë, shtrembëron qëndrimin e saj.

Përmes një reagimi zyrtar, PDK-ja thekson se ajo ka kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe kërkon lirimin e plotë të ish-krerëve të UÇK-së, duke i quajtur “çlirimtarë”. Partia sqaron se kërkesa e saj është për drejtësi dhe angazhim të plotë të shtetit për të siguruar atyre mbrojtjen më të mirë të mundshme në procesin e apelit. Kësaj i shërben edhe nisma ligjore e PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

PDK-ja nuk pranon që qëndrimi i saj për drejtësi dhe lirim të plotë të keqinterpretohet para publikut si kërkesë për ulje dënimesh. Një raportim i tillë, sipas partisë, ngre shqetësime serioze për politikën redaksionale të transmetuesit publik dhe krijon përshtypjen e një shtrembërimi me prapavijë politike.

Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga RTK-ja që ta korrigjojë menjëherë kronikën, ta sqarojë saktë qëndrimin e saj dhe të kërkojë falje publike për këtë raportim.