Slinger Francisco, këngëtari i njohur me emrin artistik Mighty Sparrow dhe i cilësuar si “mbreti botëror i calypso-s”, ka vdekur në moshën 91-vjeçare.
Francisco ndërroi jetë të dielën në New York, i rrethuar nga familjarët, njoftoi familja e tij përmes një deklarate.
Sipas tyre, artisti kishte vuajtur nga një “sëmundje e shkurtër”, ndërsa detaje të tjera nuk janë bërë publike.
“Ai ishte një institucion në industrinë e argëtimit, i admiruar për aftësinë dhe finesën e tij si këngëtar, autor këngësh dhe mentor. Ishte i dashur nga shumë njerëz”, thuhet në deklaratën e familjes.
Mighty Sparrow do të mbahet mend si “një zë përcaktues i kulturës sonë, një rrëfimtar mjeshtëror dhe një figurë madhore, muzika e të cilit ndihmoi që calypso të kalonte nga Trinidad dhe Tobago në skenën botërore”, deklaroi organizata Trinbago Unified Calypsonians’ Organisation.
Francisco lindi në korrik të vitit 1935 në qytetin bregdetar Grand Roy, në Grenada.
Ai ishte ende fëmijë i vogël kur, në vitin 1937, u shpërngul së bashku me prindërit në Trinidad dhe Tobago.
Pikërisht Trinidad dhe Tobago konsiderohet vendlindja e muzikës calypso dhe aty u krijua edhe identiteti artistik i Mighty Sparrow.
Ai fitoi famë të madhe në vitin 1956 me këngën “Jean and Dinah”, e cila shënoi edhe depërtimin e tij të madh në skenën muzikore.
Më pas pasuan shumë këngë të tjera të njohura, përfshirë “Both of Them”, “Congo Man”, “Mr. Walker” dhe “The Lizard”.
I njohur me përkëdheli edhe si “Birdie”, Francisco regjistroi qindra këngë gjatë një karriere që zgjati rreth gjashtë dekada.

Ai performoi në shumë vende të botës dhe u ngjit në skena të njohura, përfshirë edhe Madison Square Garden në New York.
Gjatë gjithë karrierës së tij, një nga synimet kryesore ishte promovimi dhe zhvillimi i muzikës calypso.
Historiani kulturor dhe autori nga Trinidadi, Dr Rudolph Ottley, e përshkroi atë si një nga figurat më të mëdha të këtij zhanri.
“Mighty Sparrow ishte argëtuesi suprem, një revolucionar kulturor dhe një nga artistët më të mëdhenj të calypso-s në botë”, tha Ottley për Associated Press.
Trinidad dhe Tobago e ka nderuar Francisco me disa çmime kombëtare për kontributin e tij në kulturë dhe muzikë.
Në vitin 1987, University of the West Indies i dha atij titullin “Doctor of Letters” nderi, si vlerësim për ndikimin e tij të jashtëzakonshëm artistik dhe kulturor.
Mighty Sparrow mbetet një nga emrat më të rëndësishëm në historinë e muzikës calypso dhe një artist që ndihmoi në shndërrimin e këtij zhanri nga një traditë lokale karaibiane në një fenomen të njohur ndërkombëtarisht. /GazetaExpress/
