Çlirim Haziri, organizator i protestës së përditshme “Jo në emrin tim” në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ka adresuar një kërkesë të qartë drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të ndërmarrë veprime konkrete lidhur me Dhomat e Specializuara.
Gjatë fjalimit të tij, Haziri theksoi se figurat kyçe të UÇK-së, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Hagë, gjenden mijëra kilometra larg Kosovës. Ai shtoi se përgjegjësia e qytetarëve të Kosovës është mbrojtja e atdheut dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Haziri komentoi edhe deklaratën e miratuar së fundmi nga Kuvendi i Kosovës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, duke theksuar se ajo “shpreh vetëm një qëndrim politik”, ndërsa ligji, sipas tij, “do të prodhonte pasoja konkrete”.
“Sot njerëzit që po mbajnë mbi supe barrën më të rëndë të këtij procesi janë mijëra kilometra larg nesh,” tha Haziri, duke përmendur emrat e të akuzuarve. “Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Cali e Pjetër Shala. E ndërsa ata janë atje, ne kemi një përgjegjësi këtu: ta mbrojmë atdheun, ta mbrojmë UÇK-në tonë.”
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt deputetëve të Kuvendit, Haziri shtoi: “Deklarata që miratuat sot shpreh qëndrim, ndërsa ligji që kërkojmë ne prodhon pasojë. Deklarata mbetet letër, e ligji vepron!”
Ai përfundoi thirrjen e tij me fjalët: “Prandaj UÇK-ja nuk mbrohet me deklarata. UÇK-ja jonë kërkon veprim. Dhe kërkesa jonë ndaj jush është e qartë: ligji për Dhomat e Specializuara duhet të votohet!”
