BioNTech, prodhuesja e vaksinave kundër COVID-19, ka njoftuar mbylljen e tri fabrikave të saj në Gjermani, një vendim që prek rreth 1.800 punonjës. Ky zhvillim vjen pasi kërkimi disamujor për blerës të qendrave të prodhimit dështoi.

Tri fabrikat gjermane të BioNTech-ut, të vendosura në Idar-Oberstein, Marburg dhe Tybingen, do të mbyllen. Kompania, e cila së bashku me partnerin amerikan Pfizer, ishte pionierja në zhvillimin e vaksinës kundër COVID-19 me teknologjinë mRNA dhe fitoi miliarda euro prej saj, tani po përballet me sfida të reja.

BioNTech ka theksuar se kërkesa për vaksinën anti-COVID ka rënë ndjeshëm prej disa vitesh dhe se kompania nuk ka arritur ende të marrë miratimin për tregtimin e ndonjë produkti tjetër. Aktualisht, fokusi kryesor i BioNTech është zhvillimi i barnave kundër kancerit. Megjithatë, kërkimet intensive në këtë fushë janë me kosto të lartë, duke bërë që gjashtëmujori i parë i këtij viti të mbyllet me një humbje prej 1.35 miliardë eurosh.

Sipas kompanisë, shitja e komplekseve të prodhimit nuk u realizua kryesisht për shkak të kushteve të vështira aktuale të tregut dhe klimës së investimeve.

**Fabrika e Marburgut dhe rëndësia e saj**

Fabrika e Marburgut është e specializuar në prodhimin e vaksinave kundër COVID-19 me teknologjinë mRNA, si dhe të ADN-së plazmidike, një lëndë e parë thelbësore për vaksinat mRNA dhe terapitë qelizore. Kjo fabrikë ndodhet në kompleksin historik të koncernit farmaceutik Behring dhe ishte blerë nga BioNTech prej kompanisë zvicerane Novartis, me investime prej miliona eurosh.

**Një sërë padish**

Mbyllja e fabrikave vjen në një kohë kur BioNTech përballet me një sërë akuzash ligjore.

Pas njoftimit për mbylljen, themeluesi i firmës farmaceutike CureVac, Ingmar Hoerr, i cili dikur ishte rivale e BioNTech në garën për zhvillimin e vaksinës anti-COVID, e akuzoi BioNTech-un për mashtrim. Edhe pse BioNTech njoftoi blerjen e CureVac në verën e vitit 2025, marrëveshja me vlerë miliarda euro u finalizua vetëm pas negociatash disamuajshe. Hoerr thekson se BioNTech nuk i ka mbajtur premtimet e bëra gjatë procesit të blerjes, të cilat parashikonin krijimin e një kompanie të përbashkët ku të dyja palët do të bashkonin ekspertizën dhe do të përfitonin reciprokisht. Sipas Hoerr-it, ky vizion është braktisur plotësisht me vendimin për mbylljen e fabrikave.

Pak muaj më parë, edhe kompania farmaceutike Bayer ngriti padi kundër prodhuesve të vaksinave kundër COVID-19, Pfizer dhe BioNTech. Akuzat theksojnë se vaksinat e tyre me teknologjinë mRNA kanë shkelur patentat e Bayer. Këto padi janë pjesë e një sërë mosmarrëveshjesh ligjore mbi patentat e lidhura me vaksinat anti-COVID. Për më tepër, kompania Moderna ngriti padi kundër Pfizer-it në vitin 2022 për akuza të ngjashme.

**Largimi i figurave kyçe**

Në këtë panoramë të vështirë, çifti Ugur Şahin dhe Özlem Türeci, figurat kyçe dhe themeluesit e kompanisë, kanë njoftuar largimin e tyre nga BioNTech.

Şahin dhe Türeci synojnë t’i kushtohen zhvillimit të një brezi të ardhshëm barnash të bazuara në teknologjinë mRNA dhe do të themelojnë një kompani të re. Kompania e re, e cila tashmë është bërë e ditur se do të quhet “Arife” dhe do të ketë selinë në Mainz, fillon aktivitetin nga java e kaluar. Pavarësisht largimit, Şahin dhe Türeci do të mbeten aksionarë të BioNTech.