**Kuvendi i Kosovës dënon aktgjykimin e Hagës, mediat ndërkombëtare theksojnë unitetin politik**
Kuvendi i Kosovës foli me një zë të vetëm, gjithëpartiak, duke kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Ky qëndrim gjeti menjëherë jehonë në mediat ndërkombëtore.
Me 99 vota pro, deputetët miratuan deklaratën për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dokumenti i votuar shpreh “shqetësimin e thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë” dhe kundërshton drejtpërdrejt një prej përfundimeve kryesore të trupit gjykues.
Kuvendi “e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.”
Agjencia Associated Press (AP) e paraqiti votimin si një çast të rrallë uniteti politik në Kosovë, veçanërisht në mes të një krize të gjatë institucionale. Agjencia amerikane theksoi se të gjithë 99 deputetët e pranishëm mbështetën deklaratën, duke kërkuar mbrojtjen e trashëgimisë së luftës së viteve 1998-1999.
AP veçoi kërkesën për “hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore,” e cila do të koordinonte veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike. Qëllimi, sipas dokumentit, është “mbrojtja dhe afirmimi i së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri.” Raportimi i AP-së e lidhi deklaratën edhe me protestat që kanë pasuar aktgjykimet dhe me presionin politik mbi Qeverinë e Albin Kurtit.
Portali European Western Balkans e cilësoi votimin si shprehjen më të fuqishme institucionale të kundërshtimit ndaj aktgjykimit në Kosovë deri më tani. Ky portal u ndal posaçërisht te kundërshtimi i Kuvendit ndaj përfundimit për qëllimin kriminal të përbashkët dhe kërkesa për strategji të unifikuar shtetërore. Raporti nënvizoi gjithashtu se deklarata ishte harmonizuar nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Grupi Parlamentar Multietnik. Në fokus ishte edhe kërkesa që Dhomat e Specializuara ta respektojnë mandatin “në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.”
European Interest ndoqi një linjë të ngjashme, duke e përshkruar votimin si një denoncim unanim të aktgjykimeve të 16 shtatorit. Edhe ky portal theksoi shqetësimin se aktgjykimi mund të dëmtojë perceptimin për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe luftën e Kosovës për pavarësi. Në raportim u theksua sërish kërkesa për veprim të koordinuar shtetëror dhe për mbrojtjen e interpretimit historik të luftës.
UA News u fokusua më drejtpërdrejt te pika më e fortë politike e deklaratës: refuzimi i përfundimit për “qëllimin kriminal të përbashkët.” Ky portal raportoi gjithashtu kërkesën që institucionet të mbrojnë “të vërtetën dhe pastërtinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.” Në dokument, Kuvendi kundërshton “çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës” dhe çdo barazim me regjimin serb.
Raportimet ndërkombëtare, megjithëse me theksime të ndryshme, e vendosën në qendër pikërisht këtë kontradiktë mbi interpretimin historik dhe juridik të luftës. Kuvendi e lidhi qëndrimin e tij me drejtësinë për viktimat, të drejtën për një gjykim të drejtë dhe mbrojtjen e trashëgimisë së luftës.
“E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë,” thekson deklarata, e cila përfundon me premtimin institucional: “Kuvendi do t’i mbrojë të trija pa kompromis.”
