Kriza e grurit në Ukrainë mund të shkaktojë një kosto globale prej 60 miliardë dollarësh, thekson ministri ukrainas. Bllokimi i rrugëve të eksportit të Ukrainës në Detin e Zi po arrin një pikë “kritike”, me pasoja të mundshme të rënda për çmimet globale të ushqimit, ka deklaruar ministri i Politikave Agrare dhe Ushqimit i Ukrainës, Taras Vysotskyi, në një intervistë për “Europe Today”.
“Tashmë vërejmë se, mesatarisht, çmimet e grurit janë rritur me 25 për qind”, ka theksuar ministri Vysotskyi.
Sipas tij, “nëse kjo shifër shumëzohet me konsumin e përgjithshëm të grurit dhe produkteve ushqimore me bazë gruri, brenda një viti, mund të nënkuptojë deri në 60 miliardë dollarë (rreth 53 miliardë euro) shpenzime shtesë për konsumatorët në mbarë botën”.
Rusia ka intensifikuar kohët e fundit sulmet ndaj anijeve dhe infrastrukturës ukrainase në Detin e Zi, nga ku Kievi varet për eksportin e rreth 90% të prodhimeve të veta bujqësore. Gjithashtu, janë shtuar sulmet ndaj objekteve të magazinimit të produkteve brenda Ukrainës.
Vysotskyi i ka thënë Euronews-it se Kievi po shënon “përparim” në sigurimin e dërgimit të prodhimeve ukrainase në treg, përfshirë dhe përmes të ashtuquajturave “korridore solidariteti”, të krijuara nga BE-ja për të ofruar rrugë alternative transporti.
I pyetur për mundësinë e një marrëveshjeje të negociuar me Rusinë nëpërmjet partnerëve ndërkombëtarë të Ukrainës, ministri Vysotskyi tha: “Ne jemi të gatshëm të krijojmë kushte sigurie në Detin e Zi për të gjitha mallrat civile, përfshirë prodhimet bujqësore ukrainase. Jemi të hapur për këtë”.
Ndërsa pranoi se po zhvillohen negociata me partnerët, Vysotskyi shpjegoi se Ukraina nuk mund t’i besojë “kurrë” angazhimit të Rusisë për një moratorium të mundshëm. “Në realitet, ne nuk mund t’i besojmë kurrë asaj që do të ndodhë nesër, apo pas nënshkrimit të çfarëdo memorandumi apo marrëveshjeje”, ka shtuar ndër të tjera ministri.
