Vritet presidenti i klubit të njohur bullgar të futbollit, Botev Plovdiv
Biznesmeni i njohur bullgar dhe presidenti i klubit të futbollit Botev Plovdiv, Iliyan Filipov, është vrarë në qytetin e Plovdivit. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat lokale.
Filipov, i cili ishte gjithashtu pronar i kompanisë së transportit dhe logjistikës PIMK, si dhe aksionar kryesor i klubit Botev Plovdiv, u qëllua për vdekje rreth orës 01:00 të mëngjesit të së mërkurës, në një pronë në qytet.
Pas vrasjes, autoritetet kanë forcuar masat e sigurisë, duke bllokuar përkohësisht hyrjet dhe daljet kryesore të Plovdivit, sipas mediave bullgare.
Prokurorja e Qarkut të Plovdivit, Vanya Hristeva, ka deklaruar se hetuesit po shqyrtojnë të gjitha mundësitë për zbardhjen e rastit.
“Po ndjekim në mënyrë aktive të gjitha pistat e mundshme,” theksoi Hristeva në një konferencë për media.
Hetimet për vrasjen vazhdojnë. Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur detaje lidhur me motivin apo personat e dyshuar për kryerjen e krimit.
