Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, ka ngritur shqetësimin rreth projektligjit për Gjykatën Speciale. Tahiri ka pyetur përse ky projektligj nuk po dërgohet në Kuvend nga Ministria e Drejtësisë, duke theksuar nevojën për reflektim serioz pas dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Një çështje e cila është thelbësore dhe vjen si pasojë e një vendimi të padrejtë, vendim i cili në masë të madhe e ka kthyer Kosovën në një situatë ku duhet reflektim shumë më serioz pas 16 shtatorit, nuk mund ta tejkalojmë, sidomos ne këtu në komision. E konsideroj jetike. I bëj thirrje të flasim sinqerisht. Nëse nuk ka vullnet që projektligji, i cili sot ndodhet në Ministrinë e Drejtësisë, të vijë në Kuvendin e Kosovës, atëherë le të thuhet se është qëndrim politik. Nëse ka analizë apo vlerësim se ky ligj nuk është i mjaftueshëm, le të flasim sinqerisht gjatë këtyre gjashtë ditëve. Ta dimë pse nuk po vjen ligji,” ka deklaruar Tahiri.

Duke iu drejtuar deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Tahiri ka thënë: “A keni mundësi ta thërrisni ministren Donika Gërvalla dhe t’i kërkoni që ta sjellë projektligjin?” Ai ka shtuar se ai projektligj nuk është thjesht një analizë, por “është shumë i thjeshtë kur lexohet dhe synon të krijojë një filtër, jo shfuqizim. Ne do të kishim votuar edhe shfuqizimin, por ky nuk është qëllimi. Kemi mësuar nga gabimet e bëra në vitin 2015. Nuk kanë lënë vend e zyrë pa bërë presion për votimin e këtij ligji. Meqenëse ka pasur presion që ky ligj të miratohet, a ka mundësi të kthehemi pas, të rishohim standardet juridike? A keni mundësi ju, që e përfaqësoni Qeverinë, të thërrisni ministren Gërvalla, t’i thoni: A mund ta sillni këtë projektligj, sepse jemi bllokuar dhe nuk mund të ecim përpara,” ka përfunduar deputeti Tahiri.