**Atdhe Nuhiu optimist para ndeshjes me Irlandën: Besojmë se formacioni i zgjedhur sjell fitoren**

Sonte, pak para përballjes së rëndësishme ndaj Irlandës në Dublin, ndihmëstrajneri i Kombëtares së Kosovës, Atdhe Nuhiu, është shprehur thellësisht optimist. Ai theksoi se përgatitjet kanë shkuar sipas planit dhe beson fort se formacioni i përzgjedhur do të jetë çelësi i suksesit.

Nuhiu bëri të ditur se delegacioni kosovar është pritur mirë në Irlandë, ndërsa theksoi se në kampin e “Dardanëve” mbizotëron një besim i plotë për të arritur një rezultat pozitiv në këtë sfidë vendimtare.

“Përgatitjet kanë shkuar mirë! Jemi mirëpritur në Irlandë. Besojmë shumë te rezultati pozitiv në ndeshjen e sotme. Besojmë që ky formacion është i duhuri për të marrë fitore. Futbollistët janë të përgatitur fizikisht dhe psikologjikisht,” deklaroi Nuhiu për ‘Klan Kosova’.

Dardanët do të zbresin në fushën e lojës sonte, duke filluar nga ora 20:45, me synimin e qartë për të siguruar një rezultat pozitiv në Dublin. Një barazim i mjafton Kosovës për të garantuar pozitën e dytë në grup, objektiv ky që do të konsiderohej sukses i madh.