Evropa aktualisht nuk ka kapacitetin ushtarak për të kryer operacione të ngjashme me ato të SHBA-së kundër kapaciteteve bërthamore të Iranit, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Gjatë një aktiviteti të “Euronews” për Mbrojtjen dhe Hapësirën në Bruksel, Rutte foli për sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe tha se Evropa nuk kishte kapacitetet e nevojshme për ta bërë këtë vetë.

“Pse po e bëjnë amerikanët këtë, duke goditur kapacitetin bërthamor iranian? Sepse ne nuk mundemi”, tha ai.

Ai theksoi se Evropa duhet të rrisë aftësitë e saj mbrojtëse, në mënyrë që në të ardhmen të jetë në gjendje të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit.

Rutte tha se SHBA-ja duhet të vazhdojë të jetë e përfshirë në mbrojtjen e Evropës, si në aspektin bërthamor, ashtu edhe në atë konvencional, ndërsa vendet evropiane duhet të marrin një rol më të madh.

Deklarata e Rutte vjen në një kohë kur NATO po përballet edhe me kërcënime të reja bërthamore nga Rusia lidhur me Kaliningradin.