Dështon ekzekutimi i dënimit me vdekje në SHBA: Gruaja i mbijeton dy dozave fatale të injeksionit
Një tentativë ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës në shtetin amerikan të Tenesit ka dështuar, pasi e dënuara me vdekje, Christa Pike, 50 vjeçe, vazhdonte të kishte rrahje zemre edhe pas administrimit të dy dozave të substancës fatale, raporton BBC.
Sipas avokatëve të saj, Pike u dërgua me urgjencë në spital pasi ekipi mjekësor kishte injektuar dy doza pentobarbitali. Gjatë procesit të ekzekutimit, ekipi ligjor i Pike paraqiti një kërkesë urgjente për pezullimin e procedurës.
“Zonja Pike ka humbur ndjenjat, por zemra ende i rreh dhe mund të dëgjohet duke gërhitur”, thuhej në kërkesën e avokatëve, sipas raportimeve të mediave amerikane. Një prej avokatëve të saj i konfirmoi BBC-së se Pike po merrte ndihmë jetëshpëtuese në spital.
Pike u dënua me vdekje në vitin 1996 për vrasjen e Colleen Slemmer, e cila ishte 19 vjeçe. Në kohën e krimit, vetë Pike ishte 18 vjeçe. Sipas të dhënave të çështjes, ajo dhe i dashuri i saj i asaj kohe, Tadaryl Shipp, sulmuan, torturuan dhe vranë Slemmer. Ata ishin takuar në një kamp trajnimi pune për të rinj me probleme.
Nëna e viktimës, May Martinez, më parë kishte shprehur dëshirën që ekzekutimi të kryhej. Duke folur për Associated Press, ajo tha se sa herë kujton ngjarjen, i vijnë ndërmend vuajtjet e vajzës së saj dhe përpjekjet e saj të dëshpëruara për t’u larguar.
