**Arbër Havolli dënohet me 20 vite burg për vrasjen në Llapashticë të Epërme**
**PRISHTINË** – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me një dënim të përgjithshëm prej 20 vjet burgim Arbër Havollin, për vrasjen e kryer më 6 shtator 2025, në Llapashticë të Epërme të Podujevës.
Aktgjykimi u shpall të enjten nga trupi gjykues, kryesuar nga kryetari Alban Ajvazi dhe anëtarët Adnan Kamberi e Gëzim Ademi, sipas raportimeve të “Betimi për Drejtësi”.
Për veprën penale “Vrasje”, i akuzuari u dënua me 19 vjet burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje me 2 vjet burgim. Gjykata shqiptoi ndaj tij një dënim unik prej 20 vjet burgim.
Në dënimin me burgim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
I dënuari detyrohet gjithashtu të paguajë shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 150 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pas pranimit të aktgjykimit të plotë.
