Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim dhe Shkencë, Enver Hoxhaj nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është larguar nga mbledhja e këtij komisioni. Ky veprim vjen si pasojë e vendimit të Grupit Parlamentar të PDK-së për të bojkotuar punën në komisione, deri në momentin kur Qeveria do të procedojë në Kuvend propozimin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, njohur ndryshe si Gjykata Speciale.
Para largimit të tij, Hoxhaj u bëri thirrje subjekteve politike që të amendojnë Ligjin për Gjykatën Speciale, ndërsa anëtarëve të tjerë të komisionit u la mundësinë të vazhdonin punimet.
“Nuk do të propozoj asgjë për fushëveprimin e komisionit. Kam dashur të jem i drejtë me ju dhe konkret, vetëm se i takon kushtëzimit të komisionit. Unë largohem nga kjo mbledhje. I ftoj kolegët dhe të gjitha subjektet politike që të amendojnë ligjin për Gjykatën Speciale,” deklaroi Hoxhaj. “Kolegët e tjerë, çfarëdo sugjerimi që keni lidhur me fushëveprimin e këtij komisioni, besoj që mund t’i vazhdoni punimet.”
Pas largimit të Hoxhajt, drejtimin e mbledhjes e mori nënkryetarja e komisionit, Arjeta Fejza. Ajo theksoi se komisioni nuk ndodhet në rrethana normale për të funksionuar.
“Sa i përket çështjes së ligjit, tashmë ka një diskutim nga subjektet politike, si dhe një qëndrim nga ministria dhe kryeministri. Ne si komision, siç u përmend, kemi çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si do të funksionojë arsimi. Andaj, pajtohem që nuk jemi në rrethana normale për të funksionuar. Shpresoj që sa më shpejt të konsolidohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, në mënyrë që ne të vazhdojmë punën tonë si komision për arsim, për të trajtuar të gjitha çështjet që janë në fushëveprimtarinë tonë,” u shpreh Fejza.
Pavarësisht largimit të kryetarit Hoxhaj, anëtarët e pranishëm të komisionit votuan unanimisht për konstituimin dhe përcaktimin e fushëveprimtarisë së tij.
