Aktorja e famshme italiane, Monica Bellucci, ka zbuluar ndër vite disa nga sekretet e saj për të ruajtur formën dhe për t’a përjetuar plakjen me qetësi. Në vend të dietave të rrepta dhe stërvitjeve intensive, ajo preferon një qasje shumë më të relaksuar, ku nuk mungojnë pasta, ëmbëlsirat dhe vera.
Bellucci, e cila mbushi 62 vjeç këtë javë, ka folur shpesh për mënyrën se si kujdeset për veten dhe për filozofinë e saj ndaj ushqimit, aktivitetit fizik dhe procesit të plakjes.
Në një intervistë të dhënë në vitin 2015, aktorja ndau një formulë të thjeshtë për të jetuar mirë:
“Ha mirë, pi mirë, bëj seks të mirë dhe qesh shumë.”
Ajo ka pranuar gjithashtu se i pëlqejnë ëmbëlsirat dhe pasta, ndërsa herë pas here shijon një gotë verë dhe, shumë rrallë, edhe një cigare.
Bellucci është përshkruar si ndjekëse e një stili ushqyerjeje të frymëzuar nga dieta mesdhetare, me perime, fruta, proteina të dobëta, vaj ulliri, arra dhe avokado. Ajo i kushton rëndësi edhe madhësisë së porcioneve, duke i lejuar vetes të hajë ushqimet që pëlqen pa e tepruar.
Një tjetër element i rutinës së saj është ngrënia e pesë vakteve gjatë ditës: mëngjes, drekë dhe darkë, të shoqëruara nga dy vakte të vogla mes tyre.
Sa i përket aktivitetit fizik, 62-vjeçarja nuk është adhuruese e stërvitjeve intensive. Ajo ka treguar se praktikon herë pas here Pilates, kryesisht për kënaqësi dhe lëvizshmëri, ndërsa noti është një nga aktivitetet që preferon. Në disa periudha, ajo ka thënë se noton disa herë në javë për rreth 45 minuta.
“Ushtrohem, sigurisht, pak, dhe mbaj dietë pak kur duhet të punoj, por nuk jam e fiksuar pas kësaj”, është shprehur ajo.
Bellucci ka theksuar gjithmonë se ka qenë një grua me forma dhe se nuk ka synuar të jetë tepër e dobët.
“Kam qenë gjithmonë një grua me forma, nuk kam qenë kurrë aq e dobët; kjo është natyra ime”, ka thënë aktorja.
Për Belluccin, bukuria nuk lidhet vetëm me pamjen fizike. Aktorja ka folur hapur edhe për mënyrën se si e sheh procesin e plakjes, duke kundërshtuar idenë se kalimi i viteve duhet të konsiderohet diçka negative për gratë.
“Dua të plakem në një mënyrë paqësore. Kur je 50 apo 60 vjeç, nuk ke të njëjtat nevoja si kur je 20”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, me kalimin e viteve ndryshon edhe perspektiva ndaj jetës.
“Të plakesh do të thotë se ke fatin të jesh gjallë dhe ke ende një horizont përpara. Për më tepër, pjekuria sjell një dhuratë të mrekullueshme: shkëputjen.”
Aktorja ka folur gjithashtu për standardet e industrisë së filmit dhe presionin që gratë të duken gjithmonë të reja.
“Nëse plakesh dhe e pranon procesin me dinjitet, ose vdes. Duke e parë kështu, unë preferoj të plakem një mijë herë”, është shprehur ajo me humor.
Për Belluccin, të ndihesh e bukur është diçka që shkon përtej asaj që shohin të tjerët.
