**Von der Leyen: Zgjedhja e Presidentit, hapi i radhës për Kosovën, dialogu mes partive po dëshmon veten**

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se zgjedhja e presidentit duhet të jetë hapi i radhës për Kosovën, duke theksuar “rëndësinë e veçantë” që ka stabiliteti institucional për vendin.

Këtë deklaratë, Von der Leyen e bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Albin Kurti, pas takimit që zhvilluan në Qeveri.

Ajo theksoi se kohët e fundit është vënë re se dialogu mes partive politike në Kosovë është i mundur dhe inkurajoi vazhdimin e tij.

“Kuvendi dhe Qeveria janë themeluar, kjo është pozitive. Hapi i radhës është zgjedhja e presidentit. Së fundmi, po vërejmë se dialogu mes partive politike është i mundur dhe se duhet të vazhdoni në këtë drejtim, sepse stabiliteti institucional është themeli i gjithë proceseve: reformave, rritjes ekonomike dhe përparimit në rrugëtimin tuaj drejt BE-së,” tha Von der Leyen.

Më tej, Von der Leyen foli edhe për të ardhmen evropiane të Kosovës, duke përmendur detyrat që ajo duhet të përmbushë në këtë rrugë.

“Unë besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës, sepse e di se sa thellësisht e ndiejnë veten evropianë qytetarët e saj, dhe ky është një themel mbi të cilin duhet të ndërtojmë. Detyra jonë është ta shndërrojmë këtë aspiratë në progres konkret drejt anëtarësimit në BE. Pikërisht për këtë flet Plani ynë i Rritjes. Parimet janë të njëjta për të gjithë rajonin: ne sjellim investime evropiane dhe në mënyrë progresive hapim pjesë të tregut tonë të përbashkët, ndërsa ju paralelisht realizoni reformat e nevojshme, në mënyrë që kompanitë tuaja të konkurrojnë me kompanitë e tregut të përbashkët evropian. Kështu, ekonomia e Kosovës mund të integrohet në tregun e përbashkët të BE-së.”