Një grup i gjerë i organizatave të shoqërisë civile në Kosovë, që përfshin 45 organizata të ndryshme, u kanë bërë thirrje partive parlamentare që të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit/es deri më 6 tetor, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në një deklaratë të përbashkët, organizatat kanë kërkuar që partitë politike të angazhohen për funksionalizimin e institucioneve dhe të shmangin një tjetër shpërndarje të Kuvendit dhe cikël zgjedhor.

Deklaratë e përbashkët e organizatave të shoqërisë civile:

Partitë të arrijnë marrëveshje për Presidentin dhe të garantojnë funksionimin e institucioneve

Ne, organizatat e poshtëshënuara të shoqërisë civile, vlerësojmë që Kosova duhet të ketë institucione funksionale, me mandat të plotë dhe që përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj qytetarëve. Mandati i dhënë nga qytetarët është përgjegjësi për respektimin e rendit kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve. Prandaj, u bëjmë thirrje partive parlamentare që të angazhohen menjëherë për një marrëveshje që mundëson zgjedhjen e Presidentit/es deri më 6 tetor, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Dështimi i sërishëm për të zgjedhur Presidentin/en do të sillte shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja. Pas krizave të përsëritura institucionale dhe cikleve të njëpasnjëshme zgjedhore, kjo do ta vendoste vendin përballë një tjetër ngërçi institucional, pa pasur garancë që zgjedhjet do të jenë zgjidhje e mosmarrëveshjeve që po e mbajnë të hapur këtë çështje.

Vonesat institucionale dhe zgjedhjet eventuale nuk kanë të bëjnë vetëm me zgjedhjen e Presidentit/es. Prej dy vitesh, institucionet e Kosovës kanë funksionuar në kushte të mandatit të kufizuar ose në detyrë. Një tjetër bllokadë institucionale do ta thellonte këtë krizë dhe do ta zgjaste pasigurinë politike, duke dobësuar më tej demokracinë dhe kontrollin demokratik, mundësitë për zhvillim ekonomik, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.

Arritja e marrëveshjes për Presidentin/en kërkon kompromis të ndërsjellë. Nga shumica parlamentare kërkojmë që të jetë e hapur ndaj kandidaturave që mund të sigurojnë mbështetje më të gjerë ndërpartiake. Në anën tjetër, nga partitë opozitare presim propozime konkrete dhe angazhim për një zgjidhje të realizueshme. Nga të gjitha palët kërkojmë gatishmëri për të rishikuar qëndrimet fillestare dhe për t’u dakorduar mbi kandidaturat, mbështetjen parlamentare dhe pjesëmarrjen e nevojshme për përfundimin e procesit në afat.

Zgjedhja e Presidentit/es përmes një marrëveshjeje të arritur në përputhje me Kushtetutën do t’i mundësonte vendit të dalë nga bllokada aktuale dhe institucioneve të vazhdojnë punën e tyre. Një marrëveshje e tillë nuk kërkon tejkalimin e dallimeve politike ndërmjet shumicës dhe opozitës, por vetëm bashkëpunimin institucional të nevojshëm për përfundimin e procesit dhe funksionimin e shtetit. Presidenti/ja përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve, andaj edhe marrëveshja duhet të udhëhiqet nga ky rol kushtetues.

Si organizata të shoqërisë civile, jemi të gatshme të kontribuojmë në këtë përpjekje përmes lehtësimit të diskutimeve eventuale. Në ditët e mbetura, presim që gatishmëria për dialog të shoqërohet me hapa të qartë dhe konkret për arritjen e një marrëveshjeje dhe për përfundimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit/es brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Organizatat nënshkruese: (sipas rendit alfabetik)

Advocacy Center for Democratic Culture (ACDC)
Advocacy Training and Resource Center (ATRC)
CEL Kosova – Qendra për Barazi dhe Liri
Civil Rights Program Kosovo – CRP/K
Community Building Mitrovica (CBM)
Democracy Plus (D+)
Demokraci për Zhvillim (D4D)
Dylberizm
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile
Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF)
Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar
Forumi për Iniciativa Qytetare
Fourth Wave
Group for Legal and Political Studies (GLPS)
Handikos Istog
Iniciativa për Progres (INPO)
Iniciativa Qytetare Skenderaj
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti GAP
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Instituti KLGI
Instituti Riinvest
INTEGRA NGO
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj)
Kosova -Women 4 Women
Kosovo Advocacy and Development Centre (KADC)
Lëvizja FOL
NGO “Syri i Vizionit”
NGO ROMTEGRA
OMM Gjethi
Organizata e Personave me Aftësi të kufizuara-Handikos Kaçanik
Organizata Germin
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – “ÇOHU!”
Prishtina Institute for Political Studies (PIPS)
Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj)
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS)
Qendra për Politika dhe Avokim
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD)
Rrjeti i Grave të Kosovës
Rrjeti i OJQ-ve AVONET
Rrjeti i OJQve të Grave Qeliza
SEKHMET Institute
ShL- Kosova
The Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims (KRTC)