Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani ka folur pas ndeshjes me Izraelin.

Kosova barazoi pa gola me izraelitët, me ndeshjen e luajtur në kuadër të xhiros së tretë në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Ai tha se rezultati ishte në rregull, shkruan “Gazeta Express”.

“Besoj se në fund të shohim rezultatin është në rregull. Kemi pasur disa raste, edhe Izraeli kishte rastet e tij. Kishim të dyja raste. Duhet të rikuperohemi dhe të jemi gati për ndeshjen ndaj Austrisë”, ka thënë Asllani.

Ai ka bërë me dije se te Kosova ka lojtarë që “kanë mentalitetin e fituesit”.

“Ne jemi një ekip me ambicie dhe kemi lojtar që kanë mentalitetin e fituesit. Në futboll nuk është lehtë. Duhet të koncentrohemi për ndeshjen ndaj Austrisë”, ka thënë Asllani.

Asllani ka folur edhe për tandemin me Albion Rrahmanin në sulm.

“Për synimin duhet të pyesni trajnerin, ne jemi të gjithë gati dhe kemi treguar gatishmërinë për të përfaqësuar kombëtaren. Është ndjenjë e mirë të luash për kombëtaren. Jemi kuptuar mirë me Albionin. Ndoshta jemi më ndryshe në tipare, por dimë të luajmë me njëri-tjetrin. Edhe në qershor kemi treguar se kemi shkuar mirë bashkë”, tha sulmuesi kosovar.

Kosova ka katër pikë nga tri ndeshje, teksa Izraeli ka vetëm një pikë./GazetaExpress/