Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, braktisën sot mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal. Ata theksuan se prioritet i Kuvendit duhet të jetë shqyrtimi dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Musliu sqaroi se kishte marrë pjesë në takim vetëm për të konfirmuar themelimin e komisionit, por kundërshtoi vazhdimin e punës rutinore të Kuvendit në rrethanat aktuale politike. Ajo kërkoi që Kuvendi të vendosë si prioritet shqyrtimin dhe amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se kjo është kërkesa kryesore e qytetarëve protestues.
“Unë e kundërshtoj mbajtjen e një mbledhje rutinë, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës po kërkojnë diçka tjetër dhe ne jemi këtu për t’i përfaqësuar interesat e tyre,” tha Musliu.
Në të njëjtën linjë me Musliun, edhe Fadil Demaku theksoi se Projektligji për Dhomat e Specializuara duhet të jetë “prioriteti numër një” i Kuvendit. Ai shtoi se “çështjet e tjera asnjëra nuk ka urgjencë dhe të gjitha mund të presin”, duke bërë thirrje për unifikim të deputetëve në trajtimin e këtij projektligji.
Ndërkohë, kryetari i komisionit, Albert Kinolli, deklaroi se po ushtronte detyrën e tij dhe shprehu shpresën që amendamentimi i projektligjit për Dhomat e Specializuara të procedohet shpejt në Kuvend. “Urojmë dhe shpresojmë që shumë shpejt amendamentimi i projektligjit për Gjykatën Speciale do të vijë në Kuvend,” u shpreh Kinolli.
